Kreu i Këshillit Kombëtar të PD-së Edi Paloka foli sot në emisionin “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço në News24 për protestat e opozitës dhe debatet në parlament.
Lidhur me kaosin në seancë dhe qëndrimin e deputetëve të grupit Alibeaj, Paloka deklaroi se ne e kemi bërë të qartë pozicionin tonë dhe kush del jashtë këtij pozicioni thjesht i shërben Ramës.
Ai theksoi se një diktator duhet hequr me çdo mënyrë, edhe më ekstremen.
“Derisa të jetë çështja McGonigal e pasqaruar në parlament nga ai që është i akuzuar Edi Rama, pa u dhënë përgjigje për këtë çështje ne nuk mund të bëjmë sikur nuk ka ndodhur gjë dhe të vazhdojmë të miratojmë ligje për breshkat e ujit në parlament.
Kush mendon që duhet të diskutojmë çështjes të tjera përballë një skandali të tillë thjesht i shërben Edi Ramës. Atë do dhe Edi Rama.
Opozita ka një detyrë.
Unë thashë sot në protestë, pozicioni im mund të jetë pak më ekstrem. Për pjesën më të madhe të PD-së që ka marrë vendimin për të pasur një qëndresë, një rezistencë konsistente dhe kjo të jetë duke eskaluar nga akte të mosbindjes civile kjo duket rruga. Dhe Berisha është i bindur për revolucion paqësor. Unë mendoj që një diktator duhet hequr me çdo mënyrë, edhe më ekstremen. Absolutisht dhe me dhunë.
Një diktator ikën dhe me dhunë sepse është diktator. Një njeri që nuk lejon të votohet, atëherë çfarë zgjidhje ke me të.
Ai duhet marrë zvarrë. Nuk është kryeministër, është diktator. Është uzurpator i atij posti, nuk është kryeministër i zgjedhur. Nuk i ka votat sepse i ka blerë, i ka vjedhur, i ka manipuluar, nuk janë votat e tij. Me gjithë këto skandale që kanë dalë dhe ky i fundit që është skandali i skandaleve…Se si realizohet…ky është mendimi im personal, po përderisa PD ka zgjedhur atë rrugë. më takon ta respektoj.
Kemi zgjedhur rezistencën dhe kjo vërtetë mund të jetë ca ditë më e gjatë, por është në të mirë të shqiptarëve. Demokratët i kemi në krahë.
Këtë herë nuk ka ku të shkojë më. Jo aq për meritën tonë, por edhe për shkak të skandalit. Ne na takon vetëm t’i japim një dorë”, deklaroi Paloka./m.j