Në komisionin e Ligjeve, deputeti i PS, Pandeli Majko, i është drejtuar me kritika kreut të Kadastër Artan Lame, lidhur me qarkun e Kukësit.
Ai u shpreh se në raportin e dorëzuar për këtë qark, flitet në përgjithësi dhe se nuk “kupton asgjë”, duke shtuar se ka nevojë që të këtë një pasqyrim më të qartë për sa i përket asaj që po ndodh dhe pritet të ndodhë me regjistrimin e tokës.
Majko nuk i ka kursyer batutat, kur tha se si mik Lamen e respekton dhe e do, por si Drejtor Kadastre, i vjen “ta rrahë”.
“Për zotin Lame kam një respekt shumë të veçantë, dhe është dhe miku im, dhe si mik e dua fort, por si drejtor të Kadastrës është ajo shprehja që kush të do të rreh, dhe më vjen ta rrah faktikisht, kur shoh dhe vlerësoj nga komunikimet situatën e regjistrimit të pronësisë në qarkun Kukës”, u shpreh ai.
“Ju flisni në terma të përgjithshme, por në thelb unë e përkrah këtë dhe kam vlerësimin tim për punën e Kadastrës, por tjetër problem regjistrimi prone ka Tirana, tjetër Kukësi, tjetër Malësia e Madhe… Ne jemi të interesuar që analiza të jetë e ndarë edhe sipas kësaj cilësie. Pra unë jam i interesuar për Kukësin, dhe atje problemi bazë nuk është shtëpitë pa leje, por njohja e pronësisë së tokës. Ju akoma nuk i keni bërë letrat e regjistrimit, dhe nuk është regjistruar edhe pronësia komunitare, dhe ky është një problem”, u shpreh Majko.
“Unë e vlerësoj shumë, dhe miqësia jonë nuk vihet në diskutim në këtë drejti, se mund të ma marrësh dhe për ters, por në Kukës ju keni qenë në janar, nga bashkitë e para që morët dhe u krijua Kadastra, unë dua të di për Kukësin çfarë do bëni zotëri, se te ky raport nuk marr vesh asgjë. I kuptoj vështirësitë zoti Lame, por njerëzit duhan të dinë ka ndonjë matricë? Sa duhet të pres? Sepse pa asnjë gjë duket sikur do vdesin dynjaja dhe s’do marrin letrat e pronësisë, ndaj dua mirëkuptimin tuaj edhe pse më parë përmenda fjalën rrahje… për më tepër ju keni bërë operacion dhe nuk ua lejon doktori rrahjen”, përfundoi fjalën me humor Majko.
/s.f