Plot 8 kg kanabis janë sekuestruar nga policia në Kamëz, teksa janë arrestuar dy persona.
Specialistët e Seksionit të Hetimit të Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Operacioneve Speciale të DVP Tiranë, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Following”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit Ndue Çupi, 27 vjeç, banues në Rrëshen, Mirditë, dhe Leonard Ndoj, 53 vjeç, banues në Shënkoll, Lezhë.
Shërbimet e Policisë, pas marrjes së informacionit se këta dy shtetas do të transportonin një sasi kanabisi në zonën e Valiasit në Kamzë, janë vënë në ndjekje të tyre dhe në rrugën “Abdi Toptani”, kanë lokalizuar të ndaluar, automjetin tip “Benz”, në afërsi të të cilit ndodheshin shtetasit Ndue Çupi dhe Leonard Ndoj. Sapo kanë parë shërbimet e Policisë, këta shtetas kanë tentuar të largohen, por janë kapur dhe vënë në pranga.
Gjatë kontrollit në automjetin tip “Benz”, u gjetën të fshehura në bagazh, 8 kg kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin dhe 2 aparate celulare.
Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
/s.f