Nju Jorku cilësohet si “qyteti që nuk fle kurrë”, dhe me iniciativën e fundit, kjo mund të jetë edhe më e vërtetë.
Pas një beteje lobingu që ka nisur nga shoqata e ndërtuesve turistikë, bashkia demokrate e metropolit ikonik amerikan i ka ceduar presionit të vazhdueshëm duke shpallur që do të japë të paktën një leje ndërtimi për kazino.
Lajmi është i bujshëm sepse mund të jetë fillimi i një revolucioni që mund të shndërrojë qytetin me pothuajse 9 milionë banorë, pothuajse 20 milionë po të mblidhen edhe rrethinat, në një Las Vegas ose simotrën e saj Atlantic City.
Pikërisht ky qytet i fundit, që nga Nju Jorku nuk është më larg se 2 orë me automjet dhe që deri tani ka tërhequr edhe klientelën e atij metropoli, gjeneron çdo vit rreth 5 miliardë dollarë, por imagjinohet se fitimet në “Mollën e Madhe” do të ishin shumë herë më të larta.
Për momentin tre janë lejet, ku dy nga këto mendohet se do të ndërtohen jashtë qendrës, ose më mirë jashtë lagjeve historike si Manhatan, Bronks, Quins dhe Bruklin, aty ku nuk mungon një sipërmarrje hibride që quhet “Racino”, zakonisht një strukturë ku ndodhet një pistë për kuaj dhe makinetat karakteristike të kazinove, por jo tavolinat e pokerit dhe lojërave të tjera të bixhozit.
Por të paktën një leje do të zhvillohet në territorin e mirëfilltë të qytetit, dhe propozimet janë të ndryshme. Nga parku i lojërave të Bruklin, në Coney Island, zonë e qytetit me dominancë të theksuar të popullsisë me origjinë sllave, deri tek ikonikja Times Square, ku me gjasa do të fshihej në atë xhungël dritash dhe teatrosh, në një pallat 54 katësh.
Një tjetër propozim flet për zonën luksoze të Hudson Yards, në godinën e the Vessel. Ndërkohë që mundësi ka edhe kate të fundit të qendrës tregtare Saks, në Rrugën e Pestë, përballë Central Park, që është si një zgjidhje e ndërmjetme, edhe pse shumë e kushtueshme, rreth 25 miliardë dollarë investim.
/a.r