Një lajm të mirë e ka konsideruar Zamira Durda, e cila humbi djalin e saj të mitur në tragjedinë e Gërdecit, kërkesën e SPAK për gjykim ndaj ish ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. E zhgënjyer nga proceset gjyqësore, Durda tha në një intervistë për ABC News, se drejtësia po bën disa hapa por duhet parë vendimi përfundimtar.
“Një lajm i mirë, po nuk e di a do vendoset gjykim në themel. Drejtësia them se po hedh disa hapa, por duhet të shohim përfundimin. Jemi mësuar se nis hetimi, por vendimet janë qesharake.”u shpreh Durda, e cila theksoi se Gërdeci nuk ishte një aksident teknologjik ashtu sic u vendos në përfundim të hetimeve asokohe.
“E kam thënë që Gërdeci ndodhi që në fillim nga korrupsioni dhe babëzia për para. Ai vetëm aksident teknologjik nuk ishte. Janë me prova që asnjë tenknologji nuk kishte aty , nëse do kishte nuk do kishim viktima.” -u shpreh ajo.
Ndër të tjera, Durda tha se do të vijojë të shpresojë për drejtësi edhe pse ka rezerva në akuzën e ngritur ndaj Fatmir Mediut.
“Kam shpresuar, shpresa vdes e fundit. Rruga është e hapur deri në Strasburg. Akuza nuk duhet të jetë thjesht ‘shpërdorim detyre’. Nuk kemi shpërdorim detyre me pasoja në buxhet, por është vrasje. Kam akuzuar institucionet shtetërore për vrasje. Fëmijën tim e vrau shteti. E akuzoj Ministrin e Mbrojtjes se transporti bëhej me makina të ushtrisë. Municionet ishin në dete e male erdhën në fushë të hapur, me urdhër të ministrisë së Mbrojtjes” -vijoi më tej Zamira Durda.
/e.d