Ardhja e muxhahedinëve në Shqipëri është një shërbim i vogël që ne i bëjmë Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundrejt mbështetjes së saj të madhe. Kështu e konsideron ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, në një koment për gazetën “hekulli, ardhjen e rreth 2000 muxhahedinëve në vendin tonë. Sipas Klosit pavarësisht numrit kjo nuk mund të konsiderohet aspak një shqetësim për sa kohë që muxhahedinët e ardhur më herët nuk kanë sjellë asnjë lloj shqetësimi për vendin tonë. Ai i konsideron si xhelozi dhe komentet e mediave të vendeve të rajonit të cilat e kanë konsideruar ardhjen e muxhahedinëve në Shqipëri, si rrezik për gjithë rajonin.
“Ardhja e muxhahedinëve në vendin tonë është si problemi i armëve kimike. Shtetet e Bashkuara të Amerikës na kanë bërë aq shumë jo shërbime, por gjëra edhe më të mëdha kështu që ne kaq kemi mundësi t’u bëjmë për ta”, shprehet Klosi. Ai thekson se kurrsesi ardhja e tyre nuk mund të konsiderohet si problem për sa kohë që në vendin tonë ka tashmë një numër të madh muxhahedinësh të cilët nuk kanë krijuar asnjë lloj problemi. “Komente ka plot, por unë di grupin e parë që nuk ka krijuar asnjë shqetësim. Ata janë në qejfin e tyre madje na kanë dhënë neve mësim për mënyrën si e kanë organizuar jetën, si jetojnë paqësisht. Ata vijojnë të jenë këtu. Pse nuk pyesin çfarë bëjnë ata, sa të rrezikshëm kanë qenë por merren me këto zhurmat. Unë nuk shoh asnjë problem”, shprehet ai. Sa i përket numrit më të madh të muxhahedinëve që pritet të vijnë në Shqipëri, Klosi shton se: “Aq ishin edhe më parë, por nuk e shoh absolutisht si problem”. Edhe komentet e medieve të huaja për një rrezik të mundshëm, Klosi i konsideron vetëm si xhelozi.
“Mbase janë xhelozë që nuk i kanë çuar në këto vende”, shprehet ai. Pothuajse të gjitha mediat greke pasqyruan vizitën e Sekretarit Amerikan, John Kerry, por të gjitha mbanin kryesisht tituj të tipit: “Shqipëria do të presë 2000 muxhahedinë nga Irani”, duke treguar në këtë mënyrë një farë shqetësimi. “Rreth 2 mijë anëtarë të organizatës së opozitës iraniane “Mojahedin-e-Khalq” pritet që të mbërrijnë në Shqipëri pasi qeveria shqiptare ka arritur një marrëveshje me amerikanët. Në maj të vitit 2013, qeveria “Berisha” strehoi 210 muxhahedinë, ndërsa kryeministri Edi Rama ka rënë dakord për të mirëpritur edhe 2.000 të tjerë, nga 2.800 që ndodhen në “Kampin liria” në Irak”, është shprehur portali “Pro News”, teksa në të njëjtën linjë me të kanë qenë dhe një sërë mediash të tjera, si “Iefimerida”, “Inewsg.r”, etj. Një pjesë e madhe e mediave e kanë pasur ndër shkrimet kryesore në faqet e tyre në internet lajmin për pritjen e muxhahedinëve, që sipas tyre ata mund të jenë një rrezik, pasi bëhet fjalë për një numër vërtet të lartë.