Në një konferencë për anëtarësimet e reja të PS në Kavajë, Kryeministri Edi Rama tha se para dy vitesh e gjysëm, Kavaja ishte lënë e degraduar dhe në harresë nga qeverisja e PD-së, e udhëhequr nga disa “çeta meshkujsh” të drejtuar nga “Kryefeudali i vendosur në Tiranë”. Rama tha se para ardhjes së PS-së, Kavaja nuk mund të konsiderohej as qytet, por një vend që ishte lënë mënjanë dhe me vetëm monumentin e dy gishtave, që sipas Ramës u thoshte qytetarëve ku të kam parë. Kryeministri theksoi se qeveria do të mbështesë Bashkinë e kavajës për dy projekte të mëdha, atë të krijimit të kanalit lundrues që do lidhë Kavajën me detin adriatik dhe Parkun e madh të qytetit.
“Kemi diskutuar me kryetarin e bashkisë, dhe kemi rënë dakort të mbështesin ne qeveria, përvec punëve që do bëjë bashkia me fondet e saj, dy projekte që ihsin të paimagjinueshme. Projektin e kanalit lundrues që do të lidhë qytetin me detin. Projekti i parkut të madh të Kavajës. Do të jetë një nga parqet më të bukur të Shqipërisë. E kam parë me shumë simpati dhe gëzim sepse ajo hapësirë do të rrisë frymëmarjen e qytetit dhe do ti japë një hapësirë krejtësisht të re familjeve dhe të gjithë atyre që do të vijnë të vizitojnë qytetin. Ideja e një kavaje dhe një zone si kjo që mund të ishte një zonë që mund të zhvillohej ekonomikisht, deri para dy vitesh e gjysëm konsiderohej si marrëzi. Madje, deri para 2 vitesh e gjysëm, qyteti as qytet nuk mund të quhej, që dukej si një vend në pluhur e që kishte vetëm ato dy gishtat, që më shumë dukej si një gisht që i thoshte qytetarëve ku të kam parë.”- theksoi Kryeministri.
Rama tha se janë regjistruar rreth 1 mijë anëtarësime më shumë në Kavajë dhe në vitin 2017, diferenca në vota mes PS dhe PD do të jetë 10 mijë vota.
“1 mijë anëtarë dhe anëtare të rinj këtë kohë, që mishërojnë shoqërinë në këtë zonë ku deri disa vite më parë ishte e pamundur të përfytyrojë se gratë dhe vajzat do mund të përfaqësoheshin në politikë, në një kohë ku politika ishte për një çetë meshkujsh e udhëhequr nga kryefeudali në Tiranë. 10 mijë vota diferencë në 2017 do të jenë realiteti politik i gjithë këtij territori ku zemrat dhe mendjet e njerëzve të Kavajës i kemi fituar jo me fjalë por me punë, jo duke qëndrua në vend numëro por duke ecur cdo ditë në drejtimin e duhur, përpara. Njërëzit janë larg së qeni dele apo budallenj që kujtojnë ata marifetcinjtë që kujtojnë ata atje në Tiranë. Njerëzit shohin, kuptojnë dhe mbi të gjitha e ndjejnë se kush është drejtimi duhur dhe se kush është zgjedhja e duhur.”- tha Rama.
Sipas Kryeministrit, PD është kthyer në një mekanizëm baltëhedhës sepse ajo kërkon të mbrojë ato interesa klienteliste dhe korruptive që reformat e qeverisjes kanë nxjerrë në shesh.
“Reformat kundërshtohen nga fuqia e interesave të prekura dhe njerëzit që bëjnë reformat vendosën në shënjestër si të korruptuar, të prekur në afera, për të goditur moralisht atë ekip që ka marrë përsipër të godasë në interesa dhe të ndryshojë në strukturë vendin.”- tha Rama.