Analisti Shpëtim Nazarko foli për vendimin e Berishës për të dërguar pranë KQZ emrat për anëtarë të KZAZ-ve për zgjedhjet e 14 majit. Lista me 230 emra u dorëzua nga deputeti Flamur Noka ndonëse çështja për vulën mbetet ende në gjykatë.
Emrat janë protokolluar nga administrata e KQZ, por pranimi ose jo i tyre do të vendoset nga Celibashi në seancë publike, pas vlerësimit të legjitimitetit të dy kërkesave të paraqitura nën siglën e PD. I pyetur në intervistën për Abc News lidhur me këtë, analisti tha se është një provokim nga ana e Berishës.
“Që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mos pranojë duhet të ketë një vendim gjykate. Nëse Berisha merr si të mirëqenë vendimin e gjykatës së shkallës së parë, ai e luan këtë lloj karte dhe thotë se jam vendim gjykate. Është një provokim i Berishës dhe thotë se unë mund të hyj këtu sepse me vendimin e gjykatës së shkallës së parë.
Që të pranojë një vendim të tillë KQZ duhet të bëjë nul vendimin e gjykatës që do të dalë më vonë por është e pamjaftueshme. Celibashi nuk ka asnjë arsye që të ndryshojë qëndrim vetëm nëse ai merr parasysh vendimin e shkallës së parë të gjykatës.”, tha ai.
Kujtojmë që në një deklaratë për mediat pak ditë më parë, kreu i KQZ-së, kur u pyet se cilën palë do të njohë në zgjedhje, tha se do të vlerësohet legjitimiteti i atij që do të sjellë dokumentacion në KQZ./m.j