Një ushtar rus i frontit të Ukrainës është hedhur drejt vdekjes nga apartamenti i tij 30 metra i lartë, teksa pas mbarimit të shërbimit ishte urdhëruar të rikthehej në frontin e luftës.
25 vjeçari Mikhail Lyubimov, ishte parë nga nëna e tij teksa hidhej nga dritarja e katit të dhjetë, shkruan britanikja Daily Mail, referuar mediave ruse.
Vdekja e tij është më e fundit në një seri vetëvrasjesh mes ushtarakëve të luftës në Ukrainë, dhe raportimeve se autoritetet po fshehin numrin e vërtetë të tyre.
I mobilizuari raportohet se vuante nga ankthi e krizat e panikut prej frikës së kthimit në front, sipas nënës së tij Natalia, 43 vjeçe.
Lyubimov kishte shërbyer me marinën ruse.
Ai vdiq në rajonin Tsaritsyno në Moskë, gjatë pushimit të parë të shërbimit, teksa pas disa ditësh duhet të kthehej në front.
Raportimet e mediave vendase thonin, sipas Daily Mail: “Natalia pa djalin e saj që u hodh nga dritarja, ajo kishte telefonuar policinë dhe ambulancën por i riu nuk mund të shpëtohej”.
Detaje të tjera kanë dalë në media për të rinj që kanë varë veten nga tmerri i luftës, por shumë prej tyre nuk publikohen.
Vladimir Potanin, 46 vjeç nga Kurgan, raportohet se ka vrarë veten me brisk në Sverdlovsk disa javë pas mobilizimit në front.
Ndërsa një 28 vjeçar i mobilizuar nga Shushary, në rajonin e Leningrad vrau veten në bazën e Vyborg më 2 tetor./m.j