Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka reaguar pas dhunës së ushtruar ndaj gazetarit Elvis Hila në Lezhë, i cili u sulmua teksa ishte bashkë me gruan e tij.
Përmes një reagimi në faqen e saj në Facebook, Nikolla u shpreh se sulmi ndaj tij është dhunë e dyfishtë, duke thënë se është sulm ndaj lirisë së medias dhe njëkohësisht edhe sulm ndaj një gruaje.
Nikolla thotë se media e lirë është një shtyllë e shoqërisë së lirë, një nxitëse e demokracisë, e konsolidimit dhe kontrollit të institucioneve, e edukimit të vlerave demokratike.
Ajo kërkon nga agjencitë ligjzbatuese që të zbardhin sa më shpejtë këtë veprim të dënueshëm dhe të çojnë para drejtësisë autorët.
“Sulmi ndaj gazetarit të Report TV në Lezhë, Elvis Hila, dhe bashkëshortes së tij është një dhunë e dyfishtë: goditje ndaj lirisë së medias dhe njëkohësisht ndaj një gruaje. Dhuna ndaj medias është dhunë ndaj të gjithëve. Media e lirë është një shtyllë e shoqërisë së lirë, një nxitëse e demokracisë, e konsolidimit dhe kontrollit të institucioneve, e edukimit të vlerave demokratike. Inkurajoj agjensitë ligjzbatuese të zbardhin sa më shpejt, me përgjegjësi, profesionalizëm e transparencë këtë veprim të dënueshëm”, është shprehur Nikolla.
/e.d