Dy të rinj janë vënë në pranga të policisë së Tiranës, pasi telefononin shtetas të huaj duke u paraqitur si agjentë që të investonin në bursën fiktive Forex.
Policia ka arrestuar rë rinjtë Remilio Muka, 26 vjeç dhe Silvio Hysa, 23 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Dy të rinjtë administronin një subjekt të palicencuar, me aktivitet të padeklaruar në organet kompetente, në rrugën “Egnatia”, të cilin e kishin përshtatur si call center.
Gjatë ndërhyrjes nga policia, ata janë kapur në flagrancë gjatë kohës që po mashtronin një shtetas të huaj, për të investuar në bursë fiktive. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se dy të arrestuarit telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale laptopë, aparate celulare dhe USB që përmbanin të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.
/s.f