Kryeministri i vendit Edi Rama ka komentuar pritjen që i bëri në aeroport presidenti i republikës Bujar Nishani Sekretarit Amerikan të Shtetit Xhon Kerry. Kreu i mazhorancës ka ironizuar me kreun e shtetit, teksa tha se Nishani u shndërrua në Shefin e Protokollit të shtetit me pritjen që i bëri Kerry-t në aeroport. Këtë deklaratë ai e dha në studion e emisionit “Dritare” të Rudina Xhungës në Vizion Plus.
“Për hir të së vërtetës nuk do doja që presidentin tim ta shikoja duke bërë shefin e protokollit të shtetit në aeroportin e Rinasit, por nga ana tjetër nuk dua të komentoj më shumë sepse besoj që mbi një normë elementare ka prevaluar dashuria për SHBA. Ndëkrohë që kur sekretari i shtetit erdhi te Kryeministria te dera e priste shefi i protokollit”, – tha Rama.
Kreu i qeverisë ka sqaruar edhe çështjen e mungesës së një takimi mes Kerryt dhe kryeparlamentarit Meta. Edi Rama thotë se në axhendë nuk ishte parashikuar takim as me Ilir Metën dhe as me presidentin. “Ilir Meta është figura numër dy e shtetit dhe do të ishte e habitshme nëse do vinte kryetar Senati apo Kongresi dhe nuk takonte Metën. Por vjen sekretari i Shtetit dhe takon kryeministrin dhe kryetarin e opozitës, është normale. Takoi dhe presidentin kur ky i fundit i doli përpara në aeroport”, tha Rama.
Në lidhje me këtë vizitë, Rama tha se i ishte premtuar nga zyrtari i lartë amerikan gjatë Samitit të NATOs në Uells.
Kryeministri, ka mohuar faktin se një nga qëllmet e vizitës së Sekretarit të Shtetit Amerikan John Kerry, ishte edhe marrëveshja me Shqipërinë, për pranimin e 2 mijë muxhahedinëve iranianë, pjesë e opozitës së këtij vendi. Sipas Ramës kjo është një marrëveshje e lidhur në qeverinë Berisha dhe është vazhdimësi.
I pyetur për raportet me LSI, Rama deklaroi se ekziston vetëm një skenar që mund ta ndante nga koalicioni me Ilir Metën, nëse kjo forcë do të kthehej në pengesë për reformat e ndërmarra.
“Me Ilir Metën kemi shumë gjëra që na dallojnë se ndryshe do ishim një parti. E vetmja që do na ndante nga LSI, do ishte nëse ata do të ktheheshin në pengesë për reformat që kemi nisur”,tha më tej Rama.
Sa i takon Reformës në Drejtësi ai tha se brenda muajit mars duhet të votohet.
“Kjo ka të bëjë me progresin tonë në integrimin europian dhe me cfarë ndodh në prill në Bruksel, kur Komisioni Europian do të vendosë të shqyrtojë mundësinë e propozimit të hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe kjo mendoj unë është mjaftueshëm që cdokush në këtë vend dhe jo vetëm kreu i opozitës të bëjë të mundur që reforma të kalojë.” tha Rama.
Duke folur për Byronë Kombëtare të Hetimit, Rama tha se, “drafti që kemi kaluar në qeverië është drafti që jemi dakordësuar me partnerët amerikanë dhe më Partinë Demokratike. Ky është drafti dakordësuar. Pyesni ambasadorin amerikan nëse ky është apo jo drafti dakordësuar me Saliun dhe Lulin atëherë jam unë që gënjej”.
I pyetur për qëndrimet e deputetit Ben Blushi, Rama përgjigjet se nuk dëshiron të komentojë socialistët, qofshin ministra, deputetë, anëtarë partie, kur kanë këndvështrime të ndryshme me të.
“Nuk merrem me Blushin se i kam duart të zëna me punë. Nëse kam apo jo kohë të merrem me ps-në, këtë e gjykon ps-ja, jo një person nga jashtë dhe ata që shajnë PS nga pozicione të ndryshme. Dhe që gjoja iu dhimbset PS-ja. Kjo është një farsë”, tha Rama.