Katër muaj para zgjedhjeve vendore të 14 majit, Gjykata nuk ka zgjidhur ende çështjen e drejtimit të Partisë Demokratike. Por ky nuk është problem për KQZ-në, sipas anëtares së Komisionit Rregullator, Helga Vukaj.
Në një intervistë për Panorama TV, Vukaj deklaron se KQZ vepron sipas precedentit të vendosur në 2019, me njohjen e vendimit të shkallës së parë, që në këtë rast i jep drejtimin e Partisë Demokratike, Grupimit të Rithemelimit.
“Për mua është e qartë për mua si juriste, pasi do I referohesha përveç kodit zgjedhor do ti referohesha njëkohësisht dhe standardeve të krijuara nga institucioni, precedentëve të krijuar. Ky është I njëjti institucion që ka të njëjtin objektiv dhe qëllim veprimtarie “Garantimin e zgjedhjeve të lira demokratike”, ku parimi kryesor është respektimi i pluralizimit dhe në këtë kuadër ai ka krijuar një standard dhe precedent në 2019, që vlen të respektohet I cili ka konsideruar të vlerësojë si subjekt zgjedhor një subjekt, I cili diçka para zhvillimit të zgjedhjeve u njoh si parti politike me vendim të gjykatës së shkallës së parë Tiranë. Në respektim të pluralizmit, KQZ e ka konsideruar të vlefshëm këtë subjekt për të marrë pjesë në zgjedhje, është mjaftuar me praninë e vërtetimit nga Gjykata”, tha ajo.
Precedenti i Bindjes Demokratike në 2019-n, ishte i ngjashëm edhe për procedurën e Apelimit, por kjo nuk e frenoi KQZ-në asokohe për të njohur partinë e drejtuar nga Astrit Patozi si subjekt zgjedhor.
“Nuk ka pasur absolutisht rëndësi, nëse ky vendim ishte i ankimuar nga një grup qytetarësh nga rrethi i Kavajës, apo nga një subjekt tjetër, por trupa zgjedhore ka vendosur që ky subjekt të jetë pjesë e zgjedhjeve. Mjafton që vendimi ka dalë si vullnet I një gjyqtari, vërtetohet lehtësisht, ka një dispozitiv si shprehje vullneti në rast se bëhet fjalë për subjekte zgjedhore që kanë kërkuar ndryshime statutore, atëherë për ndryshimet statutore. Situata është mjaft e qartë për KQZ”, shprehet ajo.
Në 2019-n, KQZ njohu vendimin e shkallës së parë për regjistrimin e Bindjes Demokratike në zgjedhjet vendore, duke mos parasysh ankimimin e këtij vendimi, duke plotësuar kështu kushtin për pluralizimin në zgjedhje, e për pasojë ligjërimin e tyre pavarësisht bojkotit të opozitës./m.j