Një shqiptar 25-vjeçar është arrestuar në Itali për shpërndarje droge. I riu i shërbente klientëve të tij duke lëvizur me makinë. Kjo ka mjaftuar që mediat italiane t’i referohen shqiptarit si “taksisti i kokainës”. Ai u arrestua të premten në Chiozza. Karabinierët i gjetën atij disa doza kokainë.
25-vjeçari fliste me klientët nëpërmjet WhatsApp. Këta të fundit e prisnin “taksistin” në shtëpi ose në disa zona të izoluara. Kur shqiptari mbërrinte me makinë bëhej një takim i shkurtër ku shkëmbeheshin droga dhe paratë.
Të premten, një patrullë ka vënë re 25-vjeçarin i cili bëri disa ndalesa të shkurtra në fshatin Chiozza. Sapo kanë ndërhyrë karabinierët, shqiptari është munduar të hedhë kokainën në tokë.
Në makinë, shqiptari kishte rreth 300 Euro, ndërsa në banesë nuk i gjetën drogë. Ai mbante 3 celularë, njëri prej të cilëve binte në mënyrë të përsëritur. Në këtë mënyrë, agjentët komunikuan me klientët e shqiptarit. Këta të fundit dëshmuan se kishin kontakte me 25-vjeçarin pasi u siguronte kokainë.
/a.r