Shkatërrimi i sistemit pyjor në vitet e shkuara ka bërë që erozioni të gërryej e të shkatërroj shtratet e lumenjve dhe t’i depozitoj prurjet në grykderdhje lumenjsh apo në vijën bregdetare duke e mbathur atë.
Ky fenomen vërehet në disa plazhe si në Seman, Divjakë por më i dukshëm është në Shëngjin. Atje, me dhjetra pisha qindravjeçare janë rrëzuar, ndërsa shtyllat e energjisë elektrike janë në rrezik serioz, pasi shumë prej tyre janë mbuluar nga uji.
Erozioni detar në zonën e Kunes në Shëngjin ka marrë përmasa të frikshme, duke rrezikuar seriozisht ekzistencën e kësaj perle të bregdetit shqiptar. Situata ka agravuar nga reshjet e ditëve të fundit, pasi baticat e detit i janë afruar shumë pranë rrugës, duke krijuar një problematikë mjaft të madhe.
Banorët e zonës kërkojnë që të ndërhyhet sa më shpejt për zhvendosen e linjës elektrike, pasi shumicën e kohës ata e kalojnë në errësirë të plotë. Ata thonë se deti ka avancuar gjatë viteve të fundit, duke gllabëruar mbi 50 metra tokë, fakt që e tregojnë bunkerët që sot nuk ekzistojnë më.
Alarmi për këtë rrezik që i kanoset zonës së Kunes është dhënë prej vitesh dhe kërkohet një ndërhyrje e shpejtë që të ndaloj avancimin e pushtimit të tokës nga deti.