Gazetari i njohur, Erl Murati, i ftuar në një debat me kandidatin e PD për Tiranën, Belind Këlliçi, ka komentuar akuzat e këtij të fundit lidhur me asfaltimin e rr. Xhon Belushi nga Bashkia e Tiranës.
Teksa i kujtoi Këlliçit se nuk e ka mbajtur premtimin e parë, deklaratën e dy ditëve më parë se të hënën do të denonconte në SPAK rastin, Murati u shpreh se në fakt rrugët asfaltohen nga vetë bashkia.
“Ku mendoni se qëndron vjedhja dhe grabitja e pretenduar? Rruga po bëhet nga Bashkia e Tiranës. Kjo është thënë edhe nga bashkia”, tha Murati.
Ai u shpreh se deri më tani retorika e Belind Këlliçit ka mbetur në kuadrin e denoncimeve, pa ofruar asnjë alternativë. Nga ana tjetër, ai i kujtoi Këlliçit deklaratën e rivalit të tij në primare, Gert Bogdanit, se PD po humb kohë me fushatën në bashkitë e mëdha.
“Të jem i sinqertë, një nga kritikat që kam pasur për PD, është se është ndaluar në denoncime. Nuk ka bërë asgjë ose ka bërë shumë pak përtej kësaj. Dhe unë dyshoj dhe mesa shoh, deri tani edhe retorika juaj personale është vetëm denoncuese dhe nuk ofron një alternativë.
Unë druaj që banorët e asaj lagjes mund të thonë që ne jemi të kënaqur me asfaltin dhe mund të thonë pse kandidati i opozitës del kundër asfaltimit. Bogdani ka deklaruar se në bashkitë e mëdha po humbim kohë. Nuk kemi fushatë. Kjo gjë duhet të shoqërohet edhe me një ofertë të re politike”, u shpreh ai./m.j