Dhjetëra të moshuar janë vendosur në radhë për të tërhequr pensionet e tyre duke krijuar mbingarkesë dhe vonesa pasi pika ku ata tërhiqnin paratë është zhvendosur nga Shkolla e Bashkuar në Allias sipas raportimit të gazetares Erjola Jata për News24.
Në një lidhje live me studion e lajmeve në News24, drejtori i Institutit të Sigurimeve, Astrit Hado, tha se nuk ka vend për t’u shqetësuar, pasi posta ka marrë ambiente të reja, më të mëdha dhe më komode, dhe shumë shpejt situata do të zgjidhet.
Ai tha se ambientet e reja do të krijojnë mundësinë që t’u shërbehet njëkohësisht shumë qytetarëve duke evituar radhët e gjata.
Po ashtu ka sqaruar se bonusi prej 8 mijë lekësh mund të tërhiqet brenda tre viteve, dhe se nuk ka nevojë që të krijohen radhë të gjata me frikën se nuk mund të përfitohet në muajt në vijim.
“Është vendim i postës, ata pretendojnë që situata do të përmirësohet në vijim, pasi ambientet e reja janë më të përshtatshme dhe do t’u shërbehet më mirë qytetarëve. Besojmë se nuk do të ketë më probleme me radhën.
Nuk ka arsye se të ketë radhë për pensionet në postë. Pensionistët nuk kanë arsye të grumbullohen në një orar të caktuar, por mund të shkojnë ta marrin në çdo orar.
Ne kemi gjeneruar pagesën e shpërblimit prej 8 mijë lekësh, dhe do ta marrë ditën që do të përheqin pensionin. Madje edhe nëse nuk e kanë marrë bonusin e muajit dhjetor prej 5 mijë lekësh, sërish kanë të drejtë ta marrin kur të tërheqin pensionin.
Për tre vjet nuk u humbet e drejta për tërheqjen e bonusit”, tha ai./m.j