Nga Artur Ajazi
E ndërsa viti i ri 2023 ka hyrë, duket se politika ka mbetur me mendësinë e vitit të shkuar. Edhe orët e fundit të vitit të kaluar, lidershipi i opozitës, u “kacafyt” me qeverinë, paketën e ndihmës së madhe ekonomike dhe financiare që Edi Rama u bëri shqiptarëve, apo edhe me “ndjesën” që kryeministri duhej ti kërkonte shqiptarëve.. Sa mbrapa dhe sa arkaike ka mbetur misioni i një opozite që merret vetëm me tjetrin dhe jo me vehten. Eshtë në kufinjtë e shpërbërjes dhe humbjeve elektorale, dhe sërish merret me tjetrin.
Eshtë i vetmi motivim që Sali Berisha gjen dhe u jep edhe të vetëve, “të godasim qeverinë, Ramës, ministrat, të nxijmë investimet sepse kështu na besojnë në bazë”. Por edhe kjo e ka një limit. Rruga e vetme e kësaj opozite mbetet, ribashkimi. Por si mund të ribashkohet Alibeaj dhe Berisha, Gazi dhe Muli, Paloka dhe Gështenja, kur ata kanë kontradikta të thella për politikat drejtuese të asaj partie. Si mund të ribashkohen dy grupimet “ndërluftuese” brënda asaj partie, kur Berisha thotë se “jam këtu deri n 2035”, dhe se edhe pas atij viti, ndoshta partia do ti përkasë ndonjë “berishe” tjetër.
Rruga e vetme mbetet ribashkimi i asaj partie që u bë “sallatë” prej unit dhe mitit të një njeriu që nuk pranon largimin, rinovimin, bashkëpunimin, demokratizimin dhe hapjen e saj. Rruga e vetme mbetet ribashkimi por duke u larguar Berisha, gjë e cila nuk ka gjasa të ndodhë edhe për nja 4 mandate të tjera qeverisëse të fituara nga Edi Rama pas 2025. Dhe kjo jo për faj të Alibeajt, por të Berishës. Alibeaj, Gazi apo kushto tjetër në atë grupim politik, janë gati të ulen dhe ‘lidhin besën” për të ribashkuar partinë, por sapo u rishfaqet ish-lideri, stepen, tundohen, dhe largohen.
Dalja e dy grupimeve me kandidatë të veçantë në zgjedhjet e 14 Majit, natyrisht është “vetëvrasja” e pastër politike e shkaktuar nga i vetmi njeri që nuk pranon të largohet Sali Berisha. Ai është i gatshëm të sakrifikojë PD dhe opozitën, vetëm që emri dhe figura e tij, të mbeten të paprekura.
Rruga e vetme e kësaj opozite, mbetet ribashkimi, sfida që duhet fituar nga zërat kundër brënda saj, të cilët mund të rikthejnë në skenën politike rolin e vërtetë të asaj force politike.