Martinez realizoi pritjen më të madhe të jetës së tij në minutat e fundit shtesë të finales së Botërorit të Katarit, duke ndaluar sulmuesin francez Muani të shënonte golin e fitores, që do të ishte “vdekjeprurës” për të tijtë. Ai bllokim i goditjes së fortë dhe nga afër me këmbë në minutën e 123-të e bëri portierin argjentinas edhe më hero.
Ajo pritje e shkëlqyer u shoqërua me paraqitje po kaq mbresëlënëse te goditja e penalltive, kur ndali Aurelien Tchouameni dhe Kingsley Coman. 30-vjeçari vazhdoi të tallte Kylian Mbappe në dhomat e zhveshjes, pas finales, duke iu thënë shokëve të tij “të mbanin një minutë heshtje” për sulmuesin francez, përpara se të mbante një kukull me fytyrën e të njëjtit yll francez gjatë paradës së autobusit të hapur të “Albiceleste”.
Një javë pas finales së madhe, Martinez ka vendosur ta përjetësojë në trup triumfin e tij në Kupën e Botës 2022,duke bërë një tatuazh të trofeut në këmbën e majtë. Në fakt, trofeu i dizajnuar është vendosur në të njëjtin pozicion ku u ndal topi i goditur nga Muani, një pritje që do ta bëjë të kujtohet gjatë dhe i dha Argjentinës triumfin pas 36 vitesh.
Artisti argjentinas i tatuazheve Juan Pablo Skunca kaloi orë të tëra duke punuar, përpara se Martinez të postonte një foto të veprës së përfunduar në Instagram. Duke shfaqur tatuazhin (trofeun e Kupës së Botës) në këmbë, përditësuar me 3 yje të Argjentinës, Martinez shkruan: “Que la pasión te lleve a la gloria”, që përkthehet në “Pasioni mund t’ju çojë drejt lavdisë”.
Kujtojmë se presidenti i Federatës Franceze të Futbollit i ka shkruar një letër zyrtare ankese FIFA-s për sjelljen e Martinez. Në një konferencë për shtyp përpara ndeshjes së Aston Villa në Premier League kundër Liverpool, trajneri i tij spanjoll tha se do të bisedojë me ish-portierin e Arsenalit për disa nga festimet e tij.
“Kur ke një emocion të madh, ndonjëherë është e vështirë ta kontrollosh atë, – tha Unai Emery. – Do të flas me të javën e ardhshme për disa nga festimet, por duhet të respektoj faktin se është me kombëtaren e tij tani. Kur të kthehet me ne, ne mund të flasim për këtë”.
/a.r