Nga Ben Andoni
Fabula e autores është e jashtëzakonshme, por ajo është mjaftuar me linjën e një sage, për të cilën ka ‘harxhuar’ faqe e faqe pafund. Zgjidhja e “TOENA”-s për të sjellë në shqip librin e autores britanike Victoria Hislop, të titulluar “Ishulli” është shumë e arsyeshme. Një fabul e thjeshtë, shumë a asimilueshme për publikun e gjerë që të mban pezull, por që pak a shumë ia di fundin. Autorja Hislop nuk ka bërë eksperimente në ndërmarrjen e saj, por e ka trajtuar me shumë pastërti dhe thjesht fabulën e saj kretane. Ka qenë në mos gabojmë nga përvojat e saj të para. Përkthimi i librit duket se i ka shkuar shumë korrekt linjës së vet, por pa përshtatur një kadencë tjetër në shqip dhe ndoshta këtu zotësia dhe përvoja e përkthyesit të ri Pulla na e ka përshfaqur autoren sa më realisht.
E thamë në fillim se fabula është e jashtëzakonshme, pasi ishulli i saj i ngjan UTOPISË, por autorja nuk e bën dot këtë temë madhore, pasi përcjellja filozofike në letërsi është shumë e vështirë. Në vend të kësaj, ajo ka sjellë një libër që shijohet për masën e gjerë dhe të sjell shumë nderim për Greqinë dhe sidomos kretanët, këta ishullorë fanatikë, që mbartin histori, tragjizëm dhe shumë e shumë veçori virgjërane.
Por saga e familjes kretane që e zbulon një vajzë e re britanike me gjak grek, e lindur në Angli është e jashtëzakonshme. Në fakt, sytë e saj, janë ato të autores që na tregon një Kretë rurale me shumë dinjitet, por edhe me ndjenja gati bazike, ato që e trandin nga origjina njerëzimin. Në qendër të romanit është një familje, dy anëtarët e të cilës janë prekur nga lebra. Familja mban lidhje gati historike me të sëmurët, qysh nga krijimi i kolonisë së lebrozëve pranë ishullit të tyre. Babai përshkon detin drejt ishullit të lebrozëve ku përcjell doktorin e kolonisë dhe në një nga ditët do përcjellë dhe të shoqen dhe të bijën. Por ndërsa e bija jeton shumë vite më pas dhe shërohet, e shoqja do të vdesë. Është ajo ëngjëlli i mirë në familje, por edhe oguri i keq, sepse bija e madhe dashurohet me pinjollin e një familje të pasur dhe martohet, por shpejt dashurinë e vërtetë e derdh për dendin e fisit, me të cilin do të ketë një fëmijë, pikërisht atë që mban gjallë linjën e paprekur të këtij romani.
Linja paralele, që autorja është munduar ta shkëpusë është jetesa në ishullin e lebrozëve, që mund të konsiderohet një moment si himn për Greqinë e Lashtë, sepse ndërtohet me zakonet e banorëve lebrozë që vinë nga Athina dhe për të cilët demokracia është në shkallën më të lartë. Në një farë mënyrë, mësimi që përcjellin ata përmes penës së autores, është se edhe në vuajtje demokracia të bën të jetosh më mirë. Ishulli i Spinalongës jo vetëm jeton më mirë sesa fqinjët, por edhe përcjell mesazhe kulture dhe bashkëqytetarie, që banorët e ishullit përballë nuk i ndjekin dot. Hislop ka meritën sepse me këtë ka prekur të gjithë telat e Ballkanit, se çdo të thotë të respektosh demokracinë. Por befas shkëputet dhe na përcjell në ishullin tjetër, ku do të tregojë fatin e personazheve të tjera të familjes, vajzave dhe dashurinë e vajzës së madhe…
Ka pak ngut dhe duket se autorja nuk mundet t’i mbajë disa linja, siç janë dashuritë e dy vajzave, ishulli, familja e pasur dhe tragjedia, që ajo i ka përpunuar pak naivisht.
Gjithsesi romani lexohet menjëherë sepse të mbajnë me kërshëri ngjarjet, që ajo i vendos pak larg njëra-tjetrës. Ashtu si e përmendëm është e lehtë që të merret me mënd fundi, por ke një ndjenjë keqardhje sesi subjektin e ishullit të lebrozëve nuk e ka trajtuar tërësisht dhe nuk e ka mbajtur romanin me të. Megjithatë ‘paragjykimi ynë” mbetet tek ne dhe jo te autorja e talentuar.
Libri është bërë film dhe ka pasur një audiencë të mirë, kurse botuesja shqiptarja e “TOENA” i ka shtuar një varg vlerësimesh optimiste, që kanë bërë mediat britanike. Për mendimin tonë, libri është mirë që ka ardhur në Shqipëri, por nuk mund të thuhet se është letërsi e niveleve shumë të larta. Vetë autorja ka rrugë të gjatë për të bërë, por nga ana tjetër e vlerësojmë atë dhe botuesen sepse ka sjellë një model shkrimi ku shikon gjetje të këndshme. Dhe, ky mund të renditet në vlerësimet tona për librin.
Romani ka një strukturë të thjeshtë. Narratori është në vetën e tretë, kurse struktura është gati klasike, me kthimin në invers të rrëfimit. Pika kulmore ku zgjidhet fabula është momenti që vajza më e vogël njeh historinë e trishtë të sagës së familjes dhe mënyrën e reagimit. Mbase saga mund të zgjidhej më e bashkuar dhe me më pak përshkrime, por që gjithsesi kështu mbetet një libër shumë i këndshëm, që mund të shijohet më shumë në pushime…