Nga Artan Fuga
Zyrat e punës, thuhet sot në një forum për punësimin a këshill për papunësinë, a ku e di unë ç’emër të bukur kishte, kërcënojnë se heqin nga lista e personave që përfitojnë ndihmë ekonomike, atyre personave që nuk pranojnë të shkojnë të punojnë në vendet e punës që u propozohen.
Kjo është shumë e rrezikshme. Mund të kthehet në punë të detyruar. Ose puno ku të çojnë ose vdis për bukë!
Kollaj ta thuash, por a i mendoni pak pasojat se ku të çon kjo?
Kështu i ul artificialisht statistikat e të papunëve. Duke i detyruar njerëzit të punojnë.
Kështu unë i propozoj një të riu inxhinjer pa punë në Durrës të shkojë të punojë në guroret e Krujës dhe poqese nuk shkon i heq ndihmën ekonomike.
Kështu i propozoj një zonje nga Maliqi të shkojë të lidhi cape majë çative në Korçë dhe poqese nuk pranon, pasi i propozoj edhe një kurs dyjavor për saldatore, e heq nga ndihma ekonomike.
Kështu i propozoj një nëne me tre fëmijë të punojë për 20 mijë lekë, dhjetë a njëzet kilometra larg familjes, përndryshe i heq ndihmën ekonomike.
Kjo është zgjidhja!!!
Zgjidhje ushtarake, duke kërcënuar me bukën e gojës, a thua se nuk ka të drejtë njeriu sipas kushtetutës të zgjedhi lirisht punën e tij sipas profesionit, formimit dhe vullnetit të tij…
Nëse ka individë që duan të jetojnë me atë të ardhur mizerje të ndihmës ekonomike, pa dashur të punojnë, a e mendoni pak o vëllezër se çfarë motivi në punë ju jep shqiptarëve tregu i punës sot, pagat sot, tê drejtat e punës sot?
Kaq kollaj u heqka ndihma ekonomike!!!
E rrezikshme ta kërcënosh qytetarin me bukën e gojës!
Kërcënimi për bukën e gojës kundër lirisë të zgjedhjes të profesionit…
Kjo është demokracia!!!
Shqiptarët parazitë!!!
Po kush e ndërtoi Greqinë dhe e shpëtoi nga fundosja, kush e ngriti Jugun e Italisë në bujqësi, kush punon si i palodhur nëpër Europë…
Familja shqiptare edukon kulturën e punës, shqiptari është spartan dhe nuk di t’i bëjë bisht punës…
Po budallë nuk është…