Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi thotë se qeveria ka mashtruar parlamentin për aferën e Portit të Durrësit, dhe se ky është një akt i rëndë dhe i paprecedentë.
Sipas Bardhit, kryeministrit Edi Rama dhe ministrja Belinda Balluku kanë dhënë 3 opsione të ndryshme për financimin e portit të ri në Porto Romano.
Qeveria ka mashtruar Parlamentin. Një akt i rëndë dhe i paprecedentë. Rama-Balluku përgënjeshtrojnë vetveten dhe në më pak se 1 muaj kanë thanë 3 opsione të ndryshme për financimin e portit të ri në Porto Romano.
1. Do ta financojë plotësisht Autoriteti Portual Durrës. Nuk do të jetë koncesion apo PPP.
2. Do ta financojë Autoriteti dhe qeveria.
3. Do të jepet me PPP. 46% qeveria, 54% privati.’- shkruan Bardhi
Në këtë mënyrë thotë Bardhi fo të ndryshojë edhe financimi për portin e Durrësit.
‘Kështu do të ndryshojë edhe financimi për aferën e portit të Durrësit. Nga “Emaar” tek “Alabar” dhe më pas nuk dihet ku do të përfundojnë. Ky është fakti më domethënës që shkatërrimi i Portit të Durrësit, do të shndërrohet në pastrimin më të madh të parave në histori.’- shkruan Bardhi.
390 milionë euro do të kushtojë faza e parë e projektit për portin e ri tregtar të Durrësit në Porto Romano, nga të cilat 46% do t’i paguajë qeveria shqiptare, ndërsa pjesa tjetër 54% do të jepet me PPP. Projekti u prezantua nga studio holandeze “Royal Haskoning DHV”, ku u sqarua se porti i ri do të jetë në funksion të një tregu të përbashkët rajonal, që integron hekurudhën Durrës – Prishtinë dhe Portet e thata në Kosovë e Maqedoni të Veriut.
Gjatë prezantimit të projektit për portin e ri tregtar të Durrësit që sjell më afër Shqipërinë-Kosovën e Maqedoninë e Veriut, kryeministri Rama ftoi të gjitha vendet anëtare të NATO-s të bëhen pjesë e garës. Ai tha se impakti ekonomik do të jetë i jashtëzakonshëm dhe iu përgjigj akuzave të opozitës se PPP-të s’janë krim.