Nga Artur Ajazi
Ata që gënjejnë vehten se “PD u rithemelua” dhe se “Sali Berisha do ti shpjerë demokratët nga fitorja në fitorje”, do të binden shumë shpejt se, vendi në 14 Maj, do të shkojë sërish në zgjedhje pa patur opozitë. Edhe ata që thonë se “tani pas rithemelimit, kemi një PD të rilindur dhe një kryetar të ri”, sërish gënjejnë vehten dhe mbajnë shpresa të humbura. Rithemelimi, apo “ribashkimi dhe rihapja e PD”, mbeten iluzione të kyçura tek sirtarët e Berishës. Sot ky vend ka nevojë urgjente për daljen në skenën politike të një grupimi të ri, të një partie të re, me të rinj dhe të panjollosur, për të përfaqësuar me dinjitet opozitën. Tek Partia Demokratike, edhe pas “primareve”, askush nuk shikon se “do të lindë një fllad i ri politik”.
Tek Partia Demokratike, askush nga militantët në Tiranë, Elbasan, Berat, Korçë, Durrës dhe gjetkë, nuk ka pikën e besimit se, Berisha do ti shpjerë në fitore elektorale, as në 14 Maj 2023, dhe as në Qershorin e 2025. Mbështetësit e PD, sa vjen dhe pakësohen, dhe këtë Berisha e di fare mirë. Madje ai është njeriu i vetëm ndoshta në piramidën e asaj partie, që e ka të qartë se, koha , situata politike dhe ndryshimet në vend punojnë kundër tij. Nuk mund të mbash të karikuar për muaj dhe vite njerëzit e partisë, dhe në fund tu japësh humbjen. Nuk mund të mbash me premtime mbështetësit e rraskapitur lart e poshtë, dhe në fund tu thuash se “votat i bleu Rama”.
Me kokëfortësinë e tij, Berisha po zgjat agoninë e Partisë Demokratike, po zgjat gjendjen e rënduar në të cilën ka futur gjithë strukturat e tij partiake, dhe po firon anëtarësinë në bazë. Askush nuk del dhe ta kundërshtojë, askush nuk del dhe ti thotë “zotëri ik, largohu dhe hapi rrugën të rinjve, pasi partia po degradon”. Dhe kjo e ka shpënë atë parti në buzën e greminës. Grushti i tepelenasit, (një akt i shëmtuar dhune) ishte një rast i mirë që Berisha të kapej fort, dhe të shtynte ca kohë me sulmet ndaj PD dhe Ramës.
Mendoj se deri nga Janari apo Shkurti 2023, “grushti i tepelenasit”, do të jetë tema e ditës në të gjitha daljet e tij dhe konferencat e shtypit. Kjo do ti zgjasë edhe më shumë agoninë opozitës së papërfaqësuar, dhe do ti japë të drejtën Edi Ramës të thotë “ja kush janë ata që duan të vijnë në pushtet”. Ndaj dhe PD, humbet gjithmonë betejat elektorale, ndaj PD ndjehet e pafuqishme në fushata dhe ditën e votimit, pasi nuk ka motiv dhe frymë, për ti bërë të paktën mbështetësit e saj të besojnë tek fjala e ish-liderit.
Në 14 Maj, apo edhe më tej, vendi do ta ndjejë mungesën e opozitës, dhe ky nuk është natyrisht faji i Edi Ramës, por totalisht i Sali Berishës. Ky i fundit duhet të ndjehet fajtori i vetëm, për ç’ka ka ndodhur dhe ç’ka po ndodh në Partinë Demokratike, dhe ti japë fund skenarit qesharak dhe premtimeve që u bën prej muajsh mbështetësve të tij se “tani kemi një parti të rithemeluar, dhe fitorja na takon vetëm neve”, për ti hapur rrugën të rinjve në atë forcë të vakët politike.