Një patrullë e policisë së Kosovës u sulmua të enjten në veriun me shumicë serbe, me pasojë plagosjen e një efektivi, vetëm dy orë pas shtimit të pranisë policore në zonë, në përgjigje të incidenteve gjatë ditëve të fundit. Në një njoftim, policia bëri të ditur se një grup i armatosur ka qëlluar me armë nga një automjet i tipit Audi me targat KM, ndaj një patrulle policore në fshatin Serbovc të komunës së Zveçanit, rreth orës 23:00 të mbrëmjes.
Policia e Kosovës kishte njoftuar më herët rritje të pranisë në komunat veriore përgjatë ditëvë në vazhdim, për të siguruar rendin, pasi policët serbë dhanë dorëheqjen muajin e kaluar, në shenjë proteste lidhur me targat.
“Duke konsideruar zhvillimet e fundit, Beogradi me siguri që do të konsiderojë rikthimin e rreth 1 mijë forcave tona të sigurisë në Kosovë, sipas rezolutës 1244. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, e ka përsëritur disa herë se dhuna ndaj serbëve të Kosovës në vitin 2004, apo operacioni “Stuhia” që rezultoi me dëbimin e 250 mijë serbë nga Kroacia në 1996, nuk do të përsëriten më”, tha Petar Petkoviç.
Incidentet e fundit në komunën e Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potoku ndodhën ndërsa policia po i shoqëronte zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në procesin e hapjes së Komisioneve komunale përzgjedhjet për kryetarë të katër komunave, që janë caktuar për datën 18 dhjetor. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, akuzon Beogradin për mbështetjen e grupeve kriminale në veri.
/s.f