Procesi i anëtarësimit në BE i Ballkanit Perëndimor nuk është një provim që mund të mashtrosh dhe rëndësia e tij është rritur për shkak të situatës gjeopolitike me të cilën përballet rajoni dhe blloku. Kështu deklaroi kreyministri Edi Rama në një intervistë ekskluzive për EURACTIV, një ditë para samitit që mbahet sot në Tiranë.
Shqipëria zhvillon sot samitin BE-Ballkani Perëndimor ku liderët e bllokut 27 vendesh dhe 6 vendet e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen së bashku me zyrtarë të Komisionit Evropian dhe Këshillit Europian.
Kreu i qeverisë shqiptare foli për zgjerimin, tensionet rajonale dhe nevojën për të çuar përpara reformat për të garantuar autenticitetin e procesit të zgjerimit.
“Nuk duhet të harrojmë se procesi i integrimit është një proces individual, i bazuar në merita. Ne duhet të përmbushim standardet e kritereve të detyrave të shtëpisë dhe nuk është një provim që mund të mashtrosh. Edhe nëse profesorët janë shumë të prirur t’ju japin një rrugëdalje. Është në interesin tonë që ta bëjmë këtë provim siç duhet”, tha Rama.
I pyetur nëse mendon se qeveria e tij ka përgjegjësi për përparimin e ngadaltë në fushat kryesore, Rama pranoi se ishin bërë gabime.
“Me një vështrim prapa, ka gjithmonë gjëra që mund të ishin adresuar më mirë dhe gjithmonë ka probleme që mund të ishin trajtuar më mirë, pa dyshim,” tha ai, duke shtuar se ka iniciativa në vazhdim për të përmirësuar lirinë e medias.
Samiti i së martës do të zhvillohet mes protestave të drejtuara nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili akuzon qeverinë Rama për korrupsion dhe se nuk bën asgjë për të parandaluar emigracionin masiv.
Për sa i përket samitit, Rama beson se fakti që po mbahet jashtë Brukselit dhe në një vend jashtë BE-së, flet shumë për situatën aktuale në Evropë dhe një oreks të ripërtërirë për zgjerim.
“Vetëm fakti që kemi një samit në Tiranë – kush mund ta imagjinonte vetëm pak vite më parë, se BE-ja do të dilte nga perimetri i saj dhe Këshilli do të lëvizte në një vend jashtë BE-së për të pasur një samit. Dhe nuk është thjesht një manifestim, një ngjarje, është më shumë se kaq. Është një angazhim, është një mesazh”, tha ai.
Ai tha se pandemia, ndryshimet klimatike dhe më pas lufta ruse në Ukrainë, e kanë shtyrë BE-në të kuptojë më mirë rëndësinë gjeopolitike dhe strategjike të Ballkanit Perëndimor.
“Kjo tronditi Evropën… Unë shoh shumë më shumë interes, shumë më tepër ndërgjegjësim, ata e dinë shumë mirë që rajoni është i cenueshëm. Ata e dinë shumë mirë se rajoni ka ndikimin më të madh të Putinit në kontinent, që janë, le të themi, territoret serbe, Serbia dhe Republika Srbska e kështu me radhë.”
/a.r