Analisti Mustafa Nano ka bërë një analizë të ngjarjeve që pritet të ndodhin javën e ardhshme në Tiranë, ku Samiti i liderëve të Europës do të mblidhet për herë të parë jashtë Brukselit e po në të njëjtën ditë opozita ka lajmëruar protestë.
Sipas Nanos, qëllimet e vërteta të protestës janë të dukshme, Sali Berisha do t’i tregojë Europës se damkosja e tij si non-grata nuk ka zgjidhur gjë, por se madje madje ai ka në dorë paqen dhe stabilitetin e Shqipërisë.
Paradoksalisht, është nga të rrallat rrethana, kur unë e kuptoj Berishën. Atij i është ngushtuar hapësira. Në fakt, i kanë mbetur vetëm dy rrugë: 1. të dorëzohet apo të humbasë, dhe për rrjedhojë të përfundojë pa kthim në koshin e plehrave të historisë, ku e ka edhe vendin; 2. të rezistojë deri në fund me shpresën se mund të shpëtojë diçka. Ai ka zgjedhur këtë të dytën. Dhe as që ka ndërmend të kthehet mbrapsht. Ndoshta një zë i brendshëm, por edhe familjarët e tij, janë duke i thënë se me rrugën që ka zgjedhur qederi do të jetë gjithsesi më i madh sesa qari, por atij në këtë situatë nuk ia ka qejfi të bëjë llogari.
Llogaritë e bezdisin. Sepse nuk i dalin ashtu si ai do donte. Erërat që fryjnë nuk i ka në favor. Koha nuk punon për të. Nuk i kanë mbetur më aleatë. Është më i izoluar se kurrë e se kushdo tjetër. Ka mbetur vetëm me ata shqiptarë që e mbështesin. Nuk janë shumë, por janë aq sa i duhen për të organizuar edhe një gjurulldí tjetër të madhe, mbi bazën e devizës së njohur: Après moi, le deluge (pas meje u bëftë qameti). Ia ka shprehur Peter Lucas-it në vitin 1996 këtë gjë.
Duhet shpresuar që këta të ftillohen pak e nga pak e një e nga një, për të kuptuar më në fund se janë thjesht mish për top i interesave të një personi e të familjes së tij. Duhet shpresuar se edhe ky turp që po bën Berisha (protesta në bulevard pikërisht në ditën kur në Tiranë do të jetë crème della crème e politikës europiane) mund t’u hapë sytë disave syresh. Ndoshta”, shkruan Nano.
/s.f