Nga Jakin Marena
Sali Berisha është shprehur më se i vendosur për të bërë protestën e tij më 6 dhjetor, pikërisht ditën kur në Tiranë zhvillohet samiti i përbashkët mes BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. E quan “komunikim direkt nga bulevardi me liderët e vendeve të Unionit Europian”, dhe për më tepër sipas tij, për të denoncuar keqqeverisjen e Edi Ramës.
Policia shqiptare para disa ditësh zyrtarisht ia bëri të qartë se se ka një “unazë” apo perimetër sigurie, të cilin nuk mund ta kalojë asnjë parti politike në protestën e saj, madje as individë, një vendim ky për të garantuar sigurinë e liderëve të BE, të cilët për herë të parë vijnë në një samit që zhvillohet në Tiranë, bashkë me liderët e rajonit.
Ndërkohë që leja është dhënë pa kufizim ore në të gjithë zonat e tjera, e plotësuar kjo dhe nga bashkia e Tiranës, e cila zyrtarisht ka ofruar për opozitën e Berishës si vend tubimi, sheshin qëndror të kryeqytetit, atë “Skënderbej”.
Për hir të së vërtetës vendi i ofruar, përfshihen dhe zonat e tjera të Tiranës, përjashtuar zonën e sigurisë për samitin e BE të përcaktuar nga policia e shtetit, mbart një histori të fortë dhe domethënëse për politikën shqiptare në këto 32 vite.
Në atë shesh u bë protesta e parë pas 45 viteve komunizëm, që solli dhe rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës dhe për pasojë dhe rënien zyrtare të diktaturës në vitin 1991. Në atë shesh u bë tubimi madhështor për të pritur të parin sekretar amerikan shteti, që vizitonte Shqipërisë, Bejkerin, mesazhet e të cilit përcillen vit pas viti në përkujtim të kësaj ngjarjeje të madhe. I përcjell në adresën e tij në rrjetin social dhe vetë Berisha fotot e këtij mitingu të madh.
Në sheshin “Skënderbej” u bë dhe mitingu përmbyllës i fushatës së PD të udhëhequr nga Berisha për zgjedhjet e 22 marsit 1992 që sollën në pushtet të parën parti opozitare pas 45 viteve diktaturë komuniste, dhe disa ditë më pas dhe mitingun e fitores me gati 70 përqind të votave të fituara nga PD.
Për Berishën ka simbolikë të veçantë sheshi “Skënderbej” pasi deri në vitin 1997, për pesë vite rresht e “privatizoi” këtë shesh, duke mos lënë asnjë këmbë socialisti të shkelë me protestat që zhvillonte sa kohë ishte në opozitë dhe me kryetarin Fatos Nanon në burg.
Edhe njëherë që mundit të dalë në këtë shesh, pas vjedhjes së votës së 26 majit, pra në protestën e 28 majit 1996, opozita u rrah dhe u sakatua nga policia, SHIK dhe militantë të PD, të cilët ishin pa uniformë po që shërbenin në të njejtin skalion me policinë e shërbimin sekret. Pamjet e kësaj dhune masive shtetërore pushtuan gjithë mediat e botës dhe nuk ka asnjë nevojë për koment, i kanë parë të gjithë shqiptarët.
Më pas sheshi “Skënderbej” ka shërbyer për të gjitha partitë politike, por më shumë për PD-në, si për inerci dhe në opozitë nuk ia zinin vendin, pasi socialistët u zhvendosën tek sheshin “Nënë Tereza”. Shesh që së voni i “shijoi” dhe Berishës, a thua ishte vendi ku bëhej mitingu përmbyllës i fushatës ai që ia jepte fitoren një partie politike. Ose thjeshtë dhe vetëm për një “cikë” sherr me socialistët, për orën e mitingut përmbyllës, duke kërkuar pikërisht atë që kërkonin dhe ata.
Këmbëngulja e Berishës për protestën e 6 dhjetorit që ta zhvillojë përballë kryeministrisë, shumë afër vendit ku do zhvillojë punimet samiti i përbashkët mes BE e vendeve të Ballkanit Perëndimor, më tepër se një “komunikim nga bulevardi” me liderët e Evropës, është një përpjekje e Berishës për të sjellë sadopak tension.
Duke qëndruar gjithnjë në idenë se Berisha po justifikon paratë e marra nga Moska për të krijuar tensione në Shqipëri dhe Ballkan, aq më tepër që tashmë liderët e Europës, që nga Macron, Scholz e deri tek Meloni janë të gjithë bashkë në Tiranë, për të diskutuar dhe “koaliduar” më mirë bashkëpunimin në kuadër të përballimit të agresionit rus në Ukrainë, këmbëngulja për ta bërë mitingun pikërisht ngjitur me sallën ku do të zhvillojë punimet ky samit, tregon dhe ligësinë e liderit të “Rithemelimit”.
Berisha nuk e pranon dot faktin se liderët e BE mblidhen në Tiranë teksa kryeministër është Edi Rama dhe për më tepër këtë ai e merr dhe si një “bonus” politik për kundërshtarin e tij politik vetëm pak muaj para zgjedhjeve të 14 majit për pushtetin vendor. Ndaj kërkon ta prishë me çdo mënyrë atmosferën e këtij samiti të rëndësishëm në Tiranë.
E themi këtë, pasi Berisha nuk ka çfarë komunikon me liderët e BE për denoncimin e “regjimit të Edi Ramës”, pasi ata kanë qindra kanale komunikimi për të marrë vesh se çfarë ndodh në Shqipëri. Madje e dinë më mirë se sa Berisha, dhe për më tepër e shohin nga lart gjithçka duke pasur një qëndrim akoma më të paanshëm dhe të ftohtë për situatën në Shqipëri.
Por nga ana tjetër liderët e BE nuk duan të komunikojnë me Berishën, e kanë bërë të qartë se nuk komunikojnë, e jo më të dëgjojnë apo të bashkëpunojnë me një lider grupimi politik të shpallur “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe. Dhe kur tjetri nuk do fare të të dëgjojë, çfarë do t’i komunikosh?
Berisha do të ishte më i ndershëm nëse do të dilte në një protestë kundër BE, me argumentin se pa qënë “non grata” në këtë Union, ai po izolohet e po trajtohet si i tillë, duke mos ia vërshëllyer njeri. Do ta justifikonin një pjesë e shqiptarëve, pavarësisht mendjes së mbrapshtë të Berishës, e dhimbjes që i ka shkaktuar Shqipërisë në 32 vite, e cila tashmë hap pas hapi po aspiron rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Pasi në të vërtetë, në thelb protesta e 6 dhjetorit nuk është protestë kundër Edi Ramës por kundër BE. Pasi Ramën këtu e ka proteston sa herë të dojë kundër tij, para kryeministrisë e në bulevard, ndërsa kundër liderëve të BE Berisha thellë thellë proteston se s’po e marrin fare në konsideratë, nuk e takojnë, madje as i japin dorën, duke e izoluar dhe futur në “karantinë”.
Pavarësisht se dhe vetë Berisha e di se nuk fiton asgjë me këtë protestë, madje nuk arrin dot të prishë as punën e Ramës në raport me liderët e BE, lideri i “Rithemelimit” teksa i ka të shuara ambiciet për të ardhur në pushtet sepse nuk ka mbështetje as brenda dhe as jashtë vendit, protesta e 6 dhjetorit bëhet vetëm që të kapë ndonjë titull në mediat ndërkombëtare, për të treguar se diku në Shqipëri Berisha është në krye të një grupimi politik. Por dhe për të krijuar ndonjë incident të mundshëm, përmes kamikazëve të tij politikë. Për ta dëgjuar dhe Rusia, që ta përcjellë në mediat e saja live, në mënyrë që të jetë në rregull me pagesat.
Berisha deklaroi ditë pas dite se nuk do pyesë as për kordon policie dhe as për brez sigurie, por do ta zhvillojë protestën përballë kryeministrisë dhe jo në “Skënderbej”. Meqë jemi tek policia shqiptare, e cila pavarësisht profesionalizmit të saj, të treguar vit pas viti dhe me mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtare, nuk besojmë se ka “zemër” të godasë siç godasin forcat e sigurisë, ato amerikane, britanike, holandeze etj., themi, pra nëse militantët sado të paktë të Berishës e thyejnë kordonin e sigurisë dhe rrezikojnë liderët e BE që gjenden në samit, çfarë do të ndodhë më tej, ku do shkojnë?!
Pasi Berisha nuk besojmë se do jetë në krye të turmës për ta mirë-menaxhuar dhe mbajtur nën kontroll, jo për shkak të moshës por sepse është një frikacak funksional dhe këtë e ka treguar gjithmonë kur ka dashur të bëjë ndonjë marrëzi dhe të sulmojë institucionet. E thenë më shqeto, mirë e kaloi perimetrin e sigurisë së policisë shqiptare, po më tej ku do shkojë?
Berisha besojmë se e di fare mirë, ka qënë President dhe kryeministër i vendit, që ky organizim sigurie, nuk është vetëm i policisë shqiptare, por bashkë me ta janë dhe trupat e sigurisë shtesë nga të gjitha vendet pjesëmarrëse. Vijnë krerët e superfuqive të Europës, Gjermanisë, Francës dhe vendeve të tjera, dhe kanë me vete dhe forcat e tyre të sigurisë, pa përjashtuar ndonjë marins amerikan të “përzierë” mes tyre.
Madje plani i veprimit për ditën e samitit patjetër që është diskutuar deri në detaje mes policisë shqiptare, dhe forcave të sigurisë së vendeve pjesëmarrëse në samitin e 6 dhjetorit, kanë “hartën” e perimetrit të sigurisë, të shënuar deri në detajet më të vogla. Pa përjashtuar këtu shërbimet inteligjente respektive dhe partnere përtej Atlantikut.
Me këta si do ia bëjë Berisha, pasi këta s’janë me “zemër” të dobët si shqiptarët, dhe nuk të falin nëse shkel këtë perimetër, që për ta përkthehet në rrezik për liderët respektivë të cilët mbrojnë. Bashkë me truprojat respektive të liderëve të BE. A e llogarit Berisha këtë, dhe çfarë mund të ndodhë, larg qoftë, nëse do të këtë ndonjë mendjeshkretë që beson fjalët e Berishës dhe shtyhet më tej, përtej ligjit dhe rregullave të shtetit por dhe sigurisë së një samiti të këtyre përmasave!
Një finale futbolli e rangut të tretë që u organizua në Shqipëri, kërkoi dhe trupa shtesë nga vendet finaliste, përkatësisht Italia dhe Holanda! Që s’të falnin as ata. Jo më për liderët e BE, që të heqin “skalpin” nëse mendojnë se rrezikohen nga turma sado të vogla që të paraqiten brenda permietrit të sigurisë. Eshtë qeveria e Europës në Tiranë më 6 dhjetor, dhe Berisha e di këtë.
Këto janë pyetje, që Berisha duhet t’u japë përgjigje me njerëzit e tij, jo publikisht të kuptohemi, dhe në vend që ta nxisë turmën e militantëve që janë të paktë tashmë, ta mbajë nën kontroll dhe jashtë perimetrit të sigurisë së samitit të liderëve të BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
I themi këto, të pashqetësuar se Berisha po nxin Shqipërinë para ndërkombëtarëve, apo pa e akuzuar se po bën “ditët e punës” për të justifikuar pagën në listëpagesën e Moskës në fund të herës, thjeshtë dhe vetëm për sigurinë e njerëzve që Berisha po shtyn si “dash” tek dera e samitit të përbashkët të liderëve të BE e Ballkanit Perëndimor.
Të paktën të lexojnë ndoshta dhe ata që e shoqërojnë, megjithëse gjasat janë që të ketë një grusht njerëzish, pasi janë bindur pjesa më e madhe e opozitarëve se gjithçka bëhet për hallin e Berishës me SHBA dhe drejtësinë shqiptare. Dhe për paratë e tij, të kuptohemi.
Shkrim brilant. Por fatkeqësisht asnjë argument nuk “pi ujë” përpara logjikës fashiste të Sali Berishës. Deri kur kështu má…