Nga Ylli Pata
Kur Sali Berisha nisi të nxjerrë kandidatët e tij për kryetarë bashkie, kryesisht në Tiranë, por edhe në disa qytete të tjera, baza reale e PD ata i pa sit ë dalë nga xhepi i doktorit.
Pasi realisht ashtu ishin, pjesa më e madhe e emrave, sidomos atyre të njohur publikisht që u shpallën, bënë “rivelacionin” pas një “kafeje me dr.Berishën”.
Asnjëri prej këtyre” kandidatëve”, nuk është konsultuar fare me strukturat e Partisë Demokratike në territor, por gjithçka e ka konsideruar si një vullnet që del nga Sali Berisha.
I cili nga ana tjetër, shpalli vetëm një aleancë politike me faktorët opozitarë në vend dhe ai ishte Ilir Metën. Aleancë që edhe e formalizoi publikisht edhe me shkrim, me anë të një marrëveshjeje parazgjedhore. Ku jo vetëm flitej për aleanca, por u ndanë edhe postet në këshillat bashkiake.
E ky akt politik, i lineoi kandidatët e Berishës, jo si të PD-së, port ë “Shtëpisë së Lirisë 2.0”, që synon të përsërisë 6 marsin 2022, me anë të një akti të “faktit të kryer”, pa u konsultuar me asnjë forum, strukturë apo grupe përfaqësimi të arqipelagut politik të opozitës.
Sado që flitet për primare në nahinë e Sali Berishës, ato do të jenë primare që nuk zhvillohen ashtu siç duhet në rrethin e anëtarësisë së Partisë Demokratike. Por një proces ku do të marrin pjesë ata njerëz që Berisha dhe Meta i konsiderojnë si “popullin e tyre opozitar”.
Ndërkaq, dalja e “kandidatëve të Alibeajt” që prej ditësh kanë nisur të zyrtarizohen, janë një proces që vjen nga ato struktura të PD-së si seksione apo degë, që nuk i janë bashkëngjitur foltores.
Deri në zyrtarizimin e tyre si kandidatë të PD-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ka mjaft kohë e do të rrjedhin ujra. Megjithatë, në këtë kohë mund të ketë një lloj primaresh të emrave në radhët e militantëve-pra anëtarëve, por edhe mbështetësve të opozitës.
Edhe pse zyrtarisht do të ketë procese të ndara sin ë PD-në institucionale, ashtu edhe në foltore, në opinionin publik mund të diskutohet mundësia që në fund të ketë një lloj pajtimi të palëve për të mos të dalë të ndarë në zgjedhje.
E këtu, Alibeaj duket se po përdor një taktikë provocative ndaj Berishës, duke nxjerrë disa kandidatë që vijnë si propozime baze, e në ditët në vazhdim do të vijnë edhe të tjerë.
Nëse Foltorja nuk do t’i përfillë, por do të dalë me kokëfortësi në mbivendosjen e kandidatëve të saj, atëherë kemi një përsëritje klasike të skemës së 6 marsit. Kur “Shtëpia e Lirisë” goditi opozitën duke dalë me kandidatët e saj në zgjedhjet e pjesshme.
Ky lloj blitzkrieg-u i distiluar nga bërsia e rrushit, efektin e pati siç ndodh me një raki të fortë në një natë zijafeti.
Kur sherrxhiu e ka kuptuar vonë se çfarë ka thënë në gjendjen e rënduar, por vijon t’i mëshojë të vetës për të mos ulur hundën.
Si mënyra e sjelljes së palëve në periudhën deri në fund të marsit kur të regjistrohen kandidatët, si ajo e kandidatëve aspirant kundrejt strukturave të Partisë Demokratike në terren, do të jenë një lloj letër lakmuesi për lëvizjen e votës së opozitës. E cila është bazike më pas për të parë si ecën përpara kandidati për të marrë mbështetjen edhe në elektoratin gri, apo edhe në krahun tjetër.
Deri tani, kandidatët e Berishës, e kanë të sikurtë që nuk do të kenë mundësi të çajnë në zonën rozë të të majtëve, e shumë të vështirë për të hyrë në aleancë me pjesën gri. Kjo për fakt, sepse ata nuk konsiderohen si zgjedhje që vjen nga opozita, por nga Berisha e Meta.
Megjithatë, ka kohë për vlerësime më të detajuara mbi qasjen që do të kenë këta kandidatë në terren apo edhe publik. Por fakt është që shpallja e emrave nga Alibeaj, në emër të PD-së institucionale është zhvillimi politik i ditës. I cili ka kapur si në çark, Foltoren dhe aleatin e tij të afërt politik…