Themeluesi i “Wikileaks”, Julian Assange, ka deklaruar se në zgjedhjet amerikane nuk duhet votuar kandidaten demokrate për presidente, Hillary Clinton, sepse kjo do të nënkuptonte “të votohet për një luftë të pafund”, që përhap terrorizmin. Në profilin e tij në Twitter, Assange ka shkruar se Hillary Clinton është një “luftënxitëse që bën vlerësime të dobëta” dhe që kaplohet “nga emocionet për të vrarë njerëz”, transmeton Telegrafi.
Ai pranoi se ka përvojë shumëvjeçare me Clinton, dhe se ka lexuar mijëra dërgesa të saj.
“Asaj i mungon vlerësimi i drejtë, por ajo do të shtyjë Shtetet e Bashkuara në luftëra të pafundme të cilat vetëm se do të përhapin terrorin”, ka shkruar Assange, duke vënë në dukje se “vendimet e dobëta politike të Hilray në mënyrë direkte i kanë kontribuar rritjes së Shtetit Islamik”.
Ai ka rikujtuar se si Clinton kishte “kapërcyer” gjeneralët në Pentagon në rastin e Libisë, duke pranuar se Libia është shkatërruar. “Ky vend është bërë një strehë për Shtetin Islamik. Armët libiane janë plaçkitur kurse qindra ton armë u janë transferuar xhihadistëve në Siri”, ka shtuar Assange. Sipas tij, Clinton nuk ka mësuar nga gabimet e saj dhe kështu historia është duke u përsëritur në Siri.