EKSKLUZIVE JAVANEWS / Mbledhja e sotme e grupit parlamentarë të PD-së, mund të vlerësohohet si një nga përballjet më të ashpra mes kryetarit të PD-së, Lulëzim Basha dhe një pjese të mirë të grupit të deputetëve të kësaj force politike. JavaNews mëson se deputetët demokratë nuk kanë ngurruar të tregohen mjaft kritik ndaj Bashës, për mënyrën sesi ai po e drejton forcën më të madhe të opozitës, duke ia përshtatur strategjinë e saj politike interesave të ditës apo interesave personale të një grupi të caktuar.
Sipas tyre, kjo lloj politike është shumë larg qëllimeve dhe busullës politike të PD-së, që është fitorja në zgjedhje dhe integrimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Deputetët kanë qenë kritik, sidomos në adresë të lidershipit Basha për shkak të qëndrimeve tejet kontradiktore që ai prodhon nga një ditë në tjetrën, sidomos kur është fjala për Reformën në Drejtësi, aleancat, protestat etj.
Përpos kësaj, deputetët kanë ngritur shqetësim serioz se ata thuajse nuk përfillen fare jo vetëm sa i përket vendimarrjes politike, por edhe procesit të konsultimeve në nivel politik e parlamentar.
Sherri për Metën
Jo pak polemizuese mes Bashës dhe deputetëve të PD-së ka qenë çështja e Reformës në Drejtësi, sidomos qëndrimet kontradiktore të mbajtura nga Basha ndaj kësaj reforme. Në qendër të debateve me Bashën është vënë ish- kryetari i PD-së, Eduart Selami, i cili në fjalën e tij ka ngritur shqetësimin se “qëndrimi i PD-së ndaj reformës në Drejtësi dhe për Byronë e Hetimit nuk ka qenë serioz, pasi ka qenë i paqartë dhe i luhatur”. Pro këtij argument kanë qenë dhe disa deputetë të tjerë të PD-së. Sipas tyre, qëndrimet ndaj këtij projekti nuk mund të ndryshojnë brenda javës, apo për të mos thënë brenda disa orëve. Kritik në fjalën e tyre deputetët kanë qenë dhe sa i përket disa aksioneve të opozitës, ku më i spikaturi ka qenë ai kundër kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Sipas tyre, vetëm pas pak nga protesta Meta “amnistohet” madje lihet të kuptohet deri dhe aleancë me të dhe LSI. Ndonëse zëri më i artikuluar në kritika ka qenë ai i Selamit, “Javanews” mëson dhe se mjaft deputetë të tjerë të PD-së kanë mbështetur disa qëndrime të tij, duke kërkuar më shumë transparencë nga Basha.