Pas deklaratave të sotme të kryetarit të opozitës drejtuar Ministrit të Zhvillimit Ekonomik ky i fundit ka reaguar me një status në rrjetin social “Facebook”.
Në postimin e tij, Arben Ahmetaj e cilëson Lulzim Bashën si administrator të opozitës, ndërsa thekson se ai ka hyrë në një palë këpucë që ia kanë lënë, por i rrinë të mëdha.
Më parë, kreu i PD është shprehur se ministri Ahmetaj duhet të bëhet gati për t’u përgjigjur para drejtësisë.
Postimi i plotë i Ahmetajt:
“Edhe njëherë për Administratorin e opozitës: Po ta përsëris sërish që nëse unë kam udhëtuar ndonjëherë me charter me biznesmenin që ti përmend, sigurisht që unë e jap dorëheqjen. Ty s’mund të ta kërkoj të njëjtën gjë, se ty të ka dorëhequr populli me kohë. Ke hyrë në një palë kepucë që të kanë lënë por të rrinë shumë të mëdha, ndaj i mbush me broçkullat që nxjer nga goja përditë. 500 mijë, 5 milionë apo 500 milionë, që njerëzit i shohin vetëm në ëndërr, ti i ke parë me abuzimin në rrugën e Kombit. Je bërë si Liza në Botën e Çudirave që ndërton guackën e zezë rreth vetes, ndërkohë që shifrat dhe faktet flasin vetë, ndërsa institucionet ndërkombëtare e kanë çertifikuar trendin pozitiv të ekonomisë shqiptare. Unë e kuptoj që ti e kupton drejt, që rritja ekonomike të mban larg ëndrrës tënde për pushtet, por faktet janë fakte. Të kërkoj të shkosh në Prokurori dhe ta denoncosh me fakte këtë që thua, se në gjykatë sigurisht që do shkosh për shpifje!”