Drejtori i departamentit të operimit dhe tregtimit në KESH, Erald Elezi ka folur mbrëmjen e sotme për Vizion Plus në lidhje me prurjet e mëdha dhe situatën energjitike në vend.
Në intervistën e shkurtër me moderatorin Roland Zili, gjatë edicionit të lajmeve, Elezi tha se prurjet nga reshjet e ditëve të fundit kanë qenë mbi 2-fishin e parashikuar.
Për këtë arsye, një pjesë e prurjeve po shkarkohen në mënyrë të kontrolluar dhe një pjesë tjetër do të shkojë për eksport.
Roland Zili: Si është situata hidrike në sistemin energjetik në këto momente që flasim?
“Vlen të theksohet se në basenet e Komanit dhe Vaut të Dejës kemi patur sasi reshjesh ekstreme. Duhet thënë, këto dy basene nuk janë akumuluese por janë operacionale. Prurjet kanë qënë rreth dyfishi i parashikimeve të motit për këtë periudhë. Kemi pasur një intensifikim që prej datave 17, 18, mbrëmjen e djeshme dhe ditën e sotme. Kanë sjellë një sasi reshjesh më të madhe nga ajo që kishim parashikuar, që përkthehen në prurje mjaft të konsiderueshme. KESH ka marrë masa që të procesojë sa më shumë për prodhim, pjesa tjetër është shkarkuar në mënyrë të kontrolluar duke i dhënë kohë e duke minimizuar mundësitë për përmbytje.”
Roland Zili: Pra, po ruani rezerva apo po shisni energji.
“KESH është detyruar që të bëjë eksport këto ditë që ne kemi teprica. KESH ka arritur një procedurë për eksport për prurjet anësore, duke filluar nga sot në mesnatë deri në ditën e martë, pasi po mbulojmë 100%, nevojën vendase.”
Më tej, Elezi iu përgjigj edhe akuzave të opozitës e cila tha më herët s, KESH bleu energji me çmim të shtrenjtë edhe pse e dinte që do të kishte reshje.
Drejtori i departamentit të operimit dhe tregtimit në KESH u përgjigj u shpreh se, nëse nuk do të ishte blerë, rrëzikohej furnizimi me energji.
“Ne kemi dalë për blerje në 11 nëntor. Pritshmëria ka qënë për një nivel të ulët. Nëse KESH-i nuk do të kishte bërë procedurë për import, ne në fund të javës do të rrezikonim furnizimin me energji. Ka qenë e detyruar për të realizaur importin e energjisë. Parashikimet nuk kanë qenë të sakta.”
/a.r