E vënë në shënjestër të kritikave për mosrealizimin e të ardhurave, administrata doganore duket se është besimplotë për një 2016 të mbarë.
Drejtoresha e Përgjthshme e Doganave e ftuar në emisionin “Ekopolitikë” në Ora News tha se për muajin e parë të këtij viti, janarin, ka një realizim 100% të planit.
Një dorë të fortë në këtë drejtim doganave sipas Pranvera Fagut ia ka dhënë kthimi në normalitet i importit të cigareve e duhanit dhe rritjes së sasisë së importit të karburanteve, si dy nga burimet kryesore të të ardhurave.
Gropën në dogana për periudhën e lënë pas, Fagu e lidh me një sërë faktorësh të jashtëm, por dhe vetë performancën doganore.
Fagu vlerësoi bashkëpunimin me Crown Agents, por një raport përfundimtar mbi bilancin e këtij bashkëpunimi tha se do të dalë në ditët në vijim.
E pyetur nga gazetarja Sulçe nëse do të ketë lëvizje të tjera në dogana, Fagu dha këtë pwrgjigje:
Fagu:Është rasti të them që dogana është subjekt i trajtimit të ligjit për shërbimin civil dhe gjithçka do ti përkasë meritokracisë. Asnjë ndryshim në doganë nuk do të ndodhë jo në zbatim në ligjit. I vetmi kriter matës i punës, i vazhdimit të karrierës në doganë do të jetë aftësia profesionale dhe integriteti moral.Në rast se ne nuk do të jemi të kënaqur me rezultatet do të zbatojmë në mënyrë të drejtëpërdrejtë të gjithë dispozitat ndëshkuese të ligjit për shërbimin civil.
Intervista e plotë
Si ka qenë bashkëpunimi me kompaninë britanike Crown Agents?
Fagu: Kontrata e nënshkruar mes Crown Agents dhe qeverisë konsistonte në disa objektiva të përcaktuar qartë. Sot pas dy vjetësh bashkëpunimi ne vlerësojmë dhe themi me plot gojën se kemi një përmirësim të dukshëm në zhvillimin e kontrolleve efektive, në identifikimin dhe zbulueshmërinë e lartë të shkeljeve, në një analizë risku shumë më cilësore, në rritje të kapaciteteve profesionale dhe sigurisht në një nivel të caktuar të luftës kundër korrupsionit.
Si ka qenë puna e tyre, kanë ndikuar ata që të bëhen më të përgjegjshëm doganierët shqiptarë?
Fagu: Kur fola për identifikimin dhe zbulueshmërinë e shkeljeve është edhe atribut i Croen Agents, që u mor një përvojë bashkëkohore shumë cilësore nëpërmjet asistencave të tjera që tani në përfundim të kontratës sigurisht që themi se ishte një asistencë e vyer.
Ka qenë rritja e të ardhurave pjesë e kontratës me Crown Agents?
Fagu: Sigurisht që një nga elementët ishte dhe rritja e të ardhurave por jo vetëm.Kishte objektiva të qartë dhe të përcaktuar.Objektiva që ishin të përcaktuar në mirëadministrimin e sistemit doganor, përmirësimin e performancës dhe burimeve njerëzore, në luftën kundër korrupsionit. Të gjitha sëbashku do të na çonin sigurisht në rritjen e të ardhurave. Tashmë nuk kemi se çfarë të fshehim, të ardhurat nuk janë realizuar, por në asnjë moment nuk mund të themi se impakti i mosrealizimit të të ardhurave ishte për shkak të faktorit Crown Agents. Kjo ka lidhje me faktorë të tjerë, të jashtëm objektivë, sigurisht dhe performancë doganore.
Si e keni matur që ky bashkëpunim ka qenë i suksesshëm?
Fagu: Ka përfunduar thjesht kontrata, por nuk është bërë bilanci i kësaj kontrate, një grup i vogël do qëndrojë akoma për të shkruar drejt këtij bilanci definitiv.
Kur pritet të jetë gati raporti?
Fagu: Në momentin që do jetë gati do bëhet publike për mediat.
Ka pasur kritika për administratën doganore sa i takon mosrealizimit të të ardhurave. Cilët janë faktorët?
Fagu: Referuar vitit që lamë pas 2015, ne kemi një minus në raport me planin në shifrën 12.1 miliard lekë, ndërsa në raport me faktin e realizuar në 2014 kemi një shifër 6. 1 miliard lekë. Kjo është bërë objekt i një analize të thellë nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe sot me bindje themi që faktorët që kanë ndikuar në këtë mosrealizim të ardhurash kanë qenë shumë. Disa nga këto janë: rënia e çmimit të karburanteve, përgjysmimi i importit të energjisë elektrike, rritja e përjashtimeve të TVSH-së për importet e makinerive dhe barnave, rimbursimet e akcizës për industrinë e peshkimit, rënia e sasisë së importit për shkak të rritjes së prodhimit vendas. Të gjithë këta faktorë dhe kryesori është rënia e sasisë së importit të cigareve dhe duhanit, të gjithë këta faktorë në totalin e tyre na japin një shifër minus 12.5 miliard lekë që e përkthyer në raport me planin nëse këta faktorë nuk do të ekzistonin plani do të ishte realizuar 101%. Gjithë këta faktorë nuk janë faktorë të përformancës doganore por faktorë që ndodhin pavarësisht nesh. Por sigurisht që nuk mund të lihen pa u marrë parasysh dhe nuk mund të kalojnë pa pasur një impakt të drejtëpërdrejtë në të ardhurat doganore. Nëqoftëse do ti referohemi raportit të cigareve, pra rënia e importit të cigareve aty mund të ndalemi një çikë më gjatë dhe të shohim nëse ka elementë të performancës doganore apo jo. Kurse faktorët e tjerë nuk varen nga performanca doganore.
A nuk duhet të merren parasysh këta faktorë në momentin që bëhet një hartim plani?
Fagu: Parashikimi mbetet parashikim dhe ky është plani. Por nuk mund të parashikohet sa ishte rënia sepse vërtet kishte filluar në fillim janari por ajo që ndodhi në fundvit e 2015, ishte rënie që nuk ishte e parashikuar. Sigurisht që rënia e çmimit të karburanteve sjell edhe rënien e nënprodukteve të tyre.
Pati probleme me mosrealizimin edhe pas rishikimit të buxhetit?
Fagu: Janë të njëjtat arsye.
I ndjeni ju këto planet jo shumë realiste në krahasuar me ecurinë e ekonomisë?
Fagu: Sigurisht që ne nuk jemi të lumtur me parashikimin, çdo administratë do të ishte e lumtur me faktin. Por ama ky është një target i jonë dhe ne kemi një sfidë tonën. Dhe sidomos për sivjet realizimi i planit është sfidë institucionale. Unë do ta shtrija dhe në planin personal, është dhe sfida ime personale.
Ku i bazoni pritshmëritë pozitive për realizimin e planit?
Fagu: Nëse do ti shohim faktorët negativë ato persistojnë akoma dhe sivjet. Kemi mbyllur tashmë janarin, ka 12% më shumë të ardhura sesa e njëjta periudhë e vitit që shkoi. Ka një sërë faktorësh edhe pozitivë, edhe negativë. Me mbarimin e muajit u bë dhe analiza përkatëse. Nëse faktorët pozitivë janë plus 2 miliard rezultati ishte minus 1 miliard lekë i këtyre faktorëve. Ndaj dhe ishim vetëm 12%. Faktorët ekzistojnë. Kemi thënë që kemi një rënie të sasisë së importit të cigareve dhe duhanit vendas por kemi thënë dhe faktorë të tjerë. Kjo lloj rënie erdhi si pasojë e rritjes së akcizës dhe shtimit të sasisë së duhanit, të cilat nuk trajtoheshin por magazinoheshin. Ky lloj stoku na solli në faktin që mos të kishte importe normale të duhanit apo cigareve. Sot mendojmë që kemi hyrë në një treg normal.
Ka përfunduar stoku?
Fagu: Ky lloj anomaliteti tashmë nuk do jetë më. Sasia e cigareve që ka hyrë në janar ka qenë plus 200 ton ose dyfishi i sasisë së duhanit të vjetshëm. Njëkohësisht kemi rritje të sasisë së importit të karburanteve, që janë produktet kryesore që sjellin më shumë të ardhura në të ardhurat doganore.
Edhe pse çmimi i karburanteve ka pësuar një tjetër rënie?
Fagu: Është mëse e vërtetë. Nëse kemi një faktor pozitiv rritjen e sasisë së karburanteve, faktori negativ është çmimi. Nëse do ti referoheshim çmimit mesatar të 2015, ne merrnim TVSH 25.7 lekë për litër, kurse sot që flasim është 20.8 lekë për litër. Dhe faktori minus na impakton me 833 milion lekë. I kemi efektet negative, por kemi dhe ca pozitive.
Thonë që fillimi i mbarë gjysma e punës, pritet të jetë e tillë ecuria si në janar?
Fagu: Kështu shpresojmë dhe në këtë moment ne jemi mbi 100% të planit. Për herë të parë pas atyre kritikave, lumë kritikash që ne kemi mbajtur për të ardhurat e vitit që shkoi me të drejtë.
Një ndër objektivat e përcaktuar në kontratën me Crown Agents ishte lufta kundër korrupsionit dhe kontrabandës, sa është arritur në këtë drejtim?
Fagu: Janë bërë shumë hapa përpara në luftën kundër korrupsionit dhe anikontrabandës, janë futur shumë metoda të reja siç është testi i integritetit dhe sigurisht që është rritur niveli i të bërit luftë kundër korrupsionit. Për këtë ka pasur rezultate konkrete, ka pasur kallzime penale. Ka pasur arreste në flagrancë, numër shkeljesh të identifikuara në një numër më të lartë krahasuar me vitet paraardhëse. Ka pasur dhe efektivitete në gjetjen e këtyre shkeljeve. Për gjithë efektivitetin e kontrolleve doganore ka marrë një dimension të ri.
Kontrollohen sot të gjitha bizneset në bazë të analizës së riskut, si funksionon?
Fagu: Vetëm në bazë të analizës së riskut, sigurisht dhe në bazë të shkeljeve të flagrancës. Por është një department i tërë i analizës së riskut që bën profilet e riskut, ku kemi parasysh biznese, grup mallrash apo Agjensi doganore dhe mbi këto ndërtohen profilet e riskut. Dhe nuk është kjo në pjesën e doganierit që ka kontakt të drejtëpërdrektë me biznesin, por doganierit i shfaqet një mesazh në ekranin e tij në momentin e përpunimit të deklaratës doganore dhe mesazhi e orienton drejt kontrollit. Ky mesazh nuk i heq të drejtën doganierit në rast se shikon shkelje të mos ushtrojë kontrolle të tjera.Nga një kanal i verdhë që është vetëm një kontroll dokumentar, ta kalojë subjektin në një kanal të kuq.
Kjo aplikohet aktualisht në të gjitha doganat?
Fagu:Po sepse sistemi i analizës së riskut dhe monitorimit është një sistem qëndror që shtrihet në të gjitha doganat.
Pritet të ketë lëvizje të tjera në Dogana?
Fagu: Dogana është e përfshirë në një proçes reformimi, por ky proçes reformimi është i mbështetur vetëm në analizën e punës individuale. Në doganë do ketë vend vetëm për ata njerëz që japin rezultate konkrete që janë të matshme me dy elementë.Elementin e performancës profesionale dhe morale që është e domosdoshme për të punuar në administratën doganore.
Nga bashkëpunimi dy vjeçar me Crown Agents çfarë përfituan doganat shqiptare?
Fagu: Kemi zhvillimin e kontrolleve shumë më efektive, zbulimin e shkeljeve doganore në një nivel shumë më të lartë, analizë risku po ashtu, rritje të nivelit profesional, performancës në terësi të burimeve njerëzore.
Jani gati tashmë doganat që të vazhdojnë në këtë rrugë të nisur?
Fagu: Sigurisht që janë gati të vazhdojnë vetë, doganat gjithmonë vazhdojnë vetë. Crown Agents është thjesht një asistencë që në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave nuk ka reshtur prej afro 25 vjetësh. Aktualisht ka dhe asistenca të tjera, si fondet IPA, programe të ndryshme të donatorëve dhe qeverisë shqiptare.
Do vazhdojnë donatorët me asistencën e tyre?
Fagu: Sigurisht që ne përfitojmë nga fondet e BE.Aktualisht jemi duke aplikuar një projekt binjakëzimi që konsiston në tranzitin e mallrave.
Parashikoni supriza të pakëndshme gjatë këtij viti?
Fagu:Kur themi surprizë nuk mund të ketë më parashikim, kur flasim parashikim mendojmë që, ose do të bëjmë maksimumin që objektivin tonë sips planit të parashikuar tashmë ta realizojmë.
Sa është rritja e parashikuar për këtë viti?
Fagu: 7.7% ose 11 miliard lekë më shumë sesa të ardhurat e realizuara në 2015.
Priten ndryshime në dogana zonja.Fagu?
Fagu:Është rasti të them që dogana është subjekt i trajtimit të ligjit për shërbimin civil dhe gjithçka do ti përkasë meritokracisë. Asnjë ndryshim në doganë nuk do të ndodhë jo në zbatim në ligjit. I vetmi kriter matës i punës, i vazhdimit të karrierës në doganë do të jetë aftësia profesionale dhe integriteti moral.Në rast se ne nuk do të jemi të kënaqur me rezultatet do të zbatojmë në mënyrë të drejtëpërdrejtë të gjithë dispozitat ndëshkuese të ligjit për shërbimin civil.