Aktorja dhe regjisorja Rozi Kostani të cilën të gjithë e mbajnë mend si protagonisten e filmit shqiptar “Unë, ti dhe Kasandra” , ishte e ftuar këtë të premte në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ku përveç teatrit dhe filmave ajo ka ndarë edhe disa momente nga jeta e saj.
Në intervistën “2+3” regjisorja ka rrëfyer dy momentet më të hidhura të jetës së saj. Këto dy momente kanë të bëjnë me largimin nga jetë të dy prindërve të saj, histori të cilat teksa Roza Kostani i tregon pa mundur t’i mbajë emocionet.
Humbja e parë ka qenë ajo e nënës, e cila ka qenë një vdekje e ngadaltë e lajmëruar pesë muaj më herët dhe siç shprehet Rozi ata të gjithë e shikonin humbjen e saj në çdo çast. Por po aq i tmerrshëm ka qenë edhe çasti kur i ati i saj u nda nga jeta, vdekja e tij erdhi pa pritur nga një atak në zemër.
Rozi Kostani: Ne jemi katër fëmijë, procesi më i vështirë ishte babai. Unë i kam humbur të dy në një kohë shumë të shkurtër. Një vit e 4 muaj. Babai nuk arrinte dot pa perceptonte këtë humbje kaq të shpejtë, si të gjithë ne. Humbja e babit ishte një shok më vete. Ne i thoshim babait nuk ke të drejtë të vdesësh! Nuk ke të drejtë të ikësh! Babai ka ikur nga një atak në zemër, goditje akoma më e rëndë. I kam përjetuar të dyja dhe ishte e tmerrshme se si ti përjeton edhe kur ti nuk e di edhe kur e di.
Rudina Magjistari: Të papriturën…
Rozi Kostani: Papritur, unë kam qenë në shkollë, motra më merr në telefon, unë ja mbyll, se sapo kisha dhënë provim dhe duhet të firmosja disa shkresa aty dhe pastaj ajo insiston. Unë e marr dhe i them,, tani po vij…Ajo thotë babi po jep shpirt! Nuk arrita dot…çfarë thua?! Kam vrapuar drejt makinë dhe më këputeshin këmbët dhe gati bija. Kolegët e mi më vinin nga mbrapa, mos i jep makinës. Unë vetëm ulërija dhe thoja babi të lutem më prit, më prit. Se ndihesha edhe pak fajtore se nuk kisha shkuar ta takoja në fundjavë se kisha provimin e studentëve… dhe kur shkova unë ai nuk ishte më.
Rudina Magjistari: Kujtime të trishta dhe të forta sigurisht! Por është një moment kurë të gjithë mendojnë se ky çast vjen në jetën e gjithkujt apo jo, për t’u përballur me këtë ndarje. Se është një ndarje. Kështu ndodh me të gjithë
Rozi Kostani: Ne kontratën e parë e shkruajmë më vdekjen e nënshkruajmë, por ne nuk e pranojmë dot. Është e vështirë ta pranosh.