Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale pas deklaratavetë Ministres së Brendshme britanike. Rama thotë se “Britania e Madhe duhet të luftojë bandat kriminale të të gjitha kombësive dhe të ndalojë diskriminimin e shqiptarëve për të justifikuar dështimet e politikave të saj”.
“Shqipëria nuk është një vend i pasur dhe ka qenë për një kohë shumë të gjatë viktimë e perandorive. Ne kemi për detyrë të luftojmë krimin në shtëpi dhe po e bëjmë këtë me vendosmëri, pasi bashkëpunojmë ngushtë edhe me të tjerët. Gati për të punuar më afër me Mbretërinë e Bashkuar, por faktet janë vendimtare. Kështu është edhe respekti reciprok.
Shqipëria është një vend i NATO-s dhe po negocion anëtarësimin e saj në BE. Është gjithashtu një vend i sigurt origjine. Kur Gjermania pati një problem të ngjashëm, ajo shtrëngoi sistemet e veta. Britania e Madhe mund dhe duhet të bëjë të njëjtën gjë, të mos përgjigjet me retorikën e krimit që fundin e ka me dënimin e të pafajshmëve.
70% e 140,000 shqiptarëve që janë shpërngulur në Mbretërinë e Bashkuar jetonin në Itali dhe Greqi. 1200 prej tyre janë biznesmenë. Shqiptarët në Britaninë e Madhe punojnë fort dhe paguajnë taksat. Britania e Madhe duhet të luftojë bandat kriminale të të gjitha kombësive dhe të ndalojë diskriminimin e shqiptarëve për të justifikuar dështimet e politikave të saj.
Vënia në shënjestër e shqiptarëve (siç bënë disa me turp kur luftuan për Brexit) si shkaktarë të kriminalitetit dhe problemeve në kufi në Britani është retorikë e lehtë, por injoron faktet e pamohueshme. Të përsërisësh të njëjtat gjëra dhe të presësh rezultate të ndryshme është çmenduri (pyesni Ajnshtajnin!)”, shkruan Rama.
Braverman u kritikua ashpër pasi e përshkroi mbërritjen e azilkërkuesve në Britani si një “pushtim” kriminal. Në përgjigje të pyetjeve para parlamentit, Braverman tha se duhet përshpejtuar procesi i shqyrtimit dhe të realizohet largimi i shtetasve shqiptarë.
“Asnjë shqiptar i vetëm nuk duhet të pranohet si refugjat. Shqipëria nuk është një vend i shkatërruar nga lufta. Është shumë e vështirë të argumentohet se kërkesat për azil janë legjitime. Meshkujt shqiptarë kalojnë kanalin ilegalisht ose për të gjetur punë provizore ose për të punuar me kriminelë që kërkohen ndërkombëtarisht”, u shpreh ajo.
Ky nuk është rasti i parë që ministre me prejardhje nga familje emigrantësh përdor gjuhë raciste ndaj azilkërkuesve.
Laburistët e quajtën gjuhën e përdor nga Braverman absolutisht të papranueshme. Gjithashtu ligjvënës nga i gjithë spektri politik kanë paralajmëruar rrezikun e përdorimit të gjuhës nxitëse.
Braverman rrezikon të ketë një karrierë të shkurtër politike. Ajo u riemërua ministre e Brendshme nga kryeministri i ri Rishi Sunak javën e kaluar, gjashtë ditë pasi dha dorëheqjen nga i njëjti rol në kabinetin ish-kryeministres Liz Truss.
/a.r
Sot ke gjithë mbështetjen t’ime ,zoti kryeministër.Lufto fort jo vetëm në arenën ndërkombëtare,por edhe në Shqipëri për të zbutur mjerimin që ka pllakosur në dyert e shqiptarëve.
Faleminderit shuuume z.Kryeministër.Materialin sipër e kam shkruar unë me emrin Lili,pse ka dalë Anonymos?!
Faleminderit shuuume z.Kryeministër.