Një 45-vjeçar shqiptar është identifikuar nga policia greke si autor i përdhunimit të një gruaje në Athinë të dielën e kaluar dhe një tentative tjetër për përdhunim.
Ai akuzohet se abuzoi seksualisht me një 34-vjeçare, të cilën nën kërcënimin e thikës e mori nga stacioni i autobusit ku ajo po priste dhe abuzoi me të disa metra më larg.
Po atë natë ai tentoi të përdhunonte dhe një vajzë tjetër 24-vjeçare, të cilës iu fut në makinë. Por e reja gjeti mundësinë të ndalonte përpara një lokali dhe kërkoi ndihmë. 45-vjeçari shqiptar u largua. Ai u identifikua përmes gjurmëve të ADN-së dhe një tatuazhi.
Policia greke e ka shpallur në kërkim 45-vjeçarin, teksa dyshon se ai ka hyrë në Shqipëri përmes doganës së Kakavijës rreth orës 01:00 të mëngjesit të 27 Tetorit. Ky dyshim ngrihet pasi ai është filmuar nga kamerat e sigurisë.
Sipas mediave greke, 45-vjeçari ka qenë person problematik pasi konsumonte alkool dhe dhunonte edhe nënën e tij. Kështu kanë deklaruar edhe disa fqinjë të tyre në Athinë. Madje edhe policia greke ishte lajmëruar disa herë për dhunën që ai ushtronte ndaj nënës.
E ëma e shqiptarit, pasi njoftimit zyrtar të policisë greke se 45-vjeçarit akuzohet për përdhunim, ka folur për mediat e Athinës, duke u shprehur se për të, i biri nuk ekziston më.
“Ai ka vdekur për mua. Nuk mundem më, e ndjej se ka vdekur. Nuk e dua atë, jam 70 vjeç. Më merrte pensionin, ai pi alkool, birra. Policia erdhi këtu, gjeti një cigare hashash. Nuk e dua një fëmijë të tillë”, tha nëna e 45-vjeçarit shqiptar për televizionin grek ERT.
Ndërkohë, policia greke vijon kërkim për arrestimin e shqiptarit, si dhe bashkëpunimin me autoritetet shqiptare nëse ka hyrë në vendin tonë.
/a.r