Nga Mero Baze
Nuk është hera e parë që PD bën “primare” në zgjedhje lokale. Të parat i ka bërë në zgjedhjet e vitit 2000.
Natyrisht pak më të mira se këto tani. Atëherë, kur PD ishte e izoluar dhe dëshira për t’u identifikuar me të ishte minimale, organizimi i “primareve” për kandidatët për kryetar bashkie apo komune, ishin një mekanizëm për ta ringjallur dëshirën për t’u identifikuar me opozitën. Dhe në shumë prej komunave dhe bashkive pa ndonjë interes direkt politik të Berishës ato u bën edhe të mira.
Por lajmi nuk ishte ky. Lajmi ishte si Berisha diktonte kandidatët aty ku dëshironte. Përveç orientimit të gjithë strukturave, anekdotike ishte mënyra sesi i prezantonte. Për shembull në Tiranë ishin tre kandidatë. Bamir Topi, Besnik Mustafaj dhe Spartak Ngjela.
Kur Berisha në konferencën për shtyp njoftoi kandidatët pak a shumë tha: Në garë ka hyrë shkrimtari i shquar, diplomati i mirënjohur dhe themeluesi i PD Besnik Mustafaj si dhe Bamir Topi dhe Spartak Ngjela. Natyrisht pas kësaj dihej kush duhej të fitonte. Dhe kjo pastaj përsëritej me humor për çdo kandidat fitues.
M’u kujtua ky episod ndërsa po regjistrohen njëri pas tjetrës përsëri kandidatët e Tiranës. I pari ishte Belind Këlliçi. Sapo ai njoftoi kandidimin Berisha dhe Meta njëzëri përshëndetën vendimin, dhe sidomos premtimin se do të jepte dorëheqje nga deputet, sikur të ishte ngjarje ndërkombëtare. A thua se kishte opsion tjetër.
Pas kësaj është regjistruar dhe Gert Bogdani sot, por nuk ka deklarata. Ndoshta dhe të tjerët pas tij. Pak a shumë ky është një lloj paraprezantimi i kandidatëve që të kujton atë skenën e prezantimit të vitit 2000, ku në garë ishte Besnik Mustafaj etj….
Ky ishte leksioni i parë nga ato primare, pra që fituesi varej nga mënyra si sillej Berisha me prezantimin e tyre.
Leksioni i dytë ishte përçarja afatgjatë që la në PD. Prej vitit 2000 deri më 2005, në tre palë zgjedhje që pasuan (lokale dhe parlamentare) ndarja e vitit 2000 ndjehej në çdo degë. Ndjehej pasi një palë ndjehej e persekutuar dhe e shtypur nga pala tjetër. Ishte efekti i mungesës së garës reale ajo që kishte prishur më shumë punë se sa kishte rregulluar.
Dhe të mendosh që ato ishin edhe më demokratike dhe më të motivuara se këto. Pasi këto nuk janë primare që zhvillohen për të fituar kundër Ramës, por për fituar kundër Bashës me qëllim që të mbysë dëshirat e kandidatëve për të shkuar të kandidojnë me partinë e tij.
Por në fakt mund t’ua shtojnë.