Në konferencën për shtyp, kryetari i PD, Sali Berisha u pyet për dorëzimin e ligjit që përjashton kryeministrat dhe ministrat nga parashkrimet penale. Ai tha se ligji është gati dhe do të paraqitet para gazetarëve ditën e hënë, ndërsa gjatë javës do depozitohet në parlament. Ish-kryeministri tha se ligji do të bëjë kryeministrat dhe ministrat që në largimin nga detyra, do të jenë të prekshëm nga ligji.
Sali Berisha: Do të ishte sot këtu para jush, por dolën çarterat e Edi Ramës që bënë lajm botëror dhe e kuptoni vetë që lajmi është magnet, ta prish axhendën. Absolutisht ligji është gati dhe para se të dorëzohet do paraqitet para jush dhe pastaj do dorëzohet. Të hënën do paraqitet para jush dhe javën në vazhdim do dorëzohet në parlament. Do loboj fuqishëm. Nuk e bëj për asgjë por me ndërgjegjen dhe bindjen më të thellë se pa këtë ligj ky vend po shkatërrohet nga korrupsioni dhe se ky ligj, ju e dini, në vitin 2012 ne hoqëm imunitetet për korrupsionin, siç e dini pas një beteje të gjatë në parlament.
Mirëpo heqja e imuniteteve nuk ka prodhuar ndonjë efekt se e ka futur drejtësinë në xhep. Atëherë kam menduar se për t’i bërë të përgjegjshëm dhe për t’i detyruar që t’i thërrasin mendjes atyre kryeministrave dhe ministrave që vjedhin pasurinë publike, do të vëmë një nen për parashkrimin që kur të ikë nga kryeministër dhe të pushojë së kontrolluari drejtësinë, të rriten shanset për shqiptarët që ai të dalë para ligjit, se përndryshe, pa atë nen, e ka bërë Arben Ahmetaj.
Më tej, kryetari i PD, duke marrë shembull rastin në fjalë, tha se kjo do t’i japë fund vjedhjeve. Berisha shtoi se ligji është i nevojshëm për të paktën 20-30 vitet e ardhshme, duke e cilësuar si emergjent.
Sali Berisha: Tani këto do marrin fund, edhe mbrapa hënës po shkove, do jesh për 20 vite mbrapa përgjegjës për vjedhjen që ke bërë. Nuk mund të them se nuk bie pak ndesh me parimin e përgjithshëm të parashkrimit, që është parim, por mund të them se për kushtet shumë të veçanta të Shqipërisë, ku kemi të bëjëm me sistemin më të korruptuar në Europë dhe ndër më të korruptuarit në botë, ky ligj është emergjencë të paktën 2-3 dekadash sa ky vend të mund të shpëtojë nga kjo sëmundje e tmerrshme.
/s.f