Nga Skënder Minxhozi/
Sali Berisha hodhi sot jo një, por dy hapa, në drejtim të formës dhe peshës që kërkon t’i japë opozitës shqiptare në zgjedhjet e ardhshme lokale. Nënshkroi një pakt afrimi me Ilir Metën dhe njëherësh firmosi divorcin me të paktën 60 përqind të grupit të tij parlamentar. Ai jo vetëm dështoi në shërimin e plagës “Basha” të mbartur nga fraktura e vitit të shkuar, e që në 8 janar krijoi përpjasjen e famshme fizike tek selia e partisë, por edhe më gjerë se kaq dështoi në misionin që i kishte vënë vetes gjatë fushatës së Foltores: bashkimin e Partisë Demokratike.
Berisha zgjodhi Petrit Vasilin përballë Enkelejd Alibeajt dhe Agron Gjekmarkajt. Një zgjedhje për t’u qarë “me vajtojca”, do thonin plakat e qëmotit. Është një zgjedhje që në pamje të parë privilegjon Metën ndaj ish-bashkëpunëtorëve të vet të hershëm që sot e kontestojnë. Një zgjedhje force dhe instikti në vend të një rruge më të gjatë kompromisi me listën e gjatë të parlamentarëve që nuk pranojnë t’i ulen në gjunjë. Është njëherësh edhe një zgjedhje afatshkurtër që dëmton vetë PD edhe për shumë kohë, e që e shtyn Berishën drejt një aleance me Metën ku askush prej të dyve nuk ja ka besën shokut.
Në pamje të parë u bashkuan ata që mendohet se kanë më shumë vota dhe që bërtasin më fort kundër Ramës. Mjafton t’u hedhësh një sy sondazheve të të gjitha krahëve në katër vitet e fundit, për t’u bindur se kjo dyshe nuk e rrezikon dot Edi Ramën dhe Erion Veliajn.
Me hipokrizi dhe me një amnezi në dukje të pafajshme, mediat rreth PD e PL kanë krijuar idenë se grupi i deputetëve rebelë në PD nuk vlen asnjë grosh, nuk ka asnjë votë, nuk janë askushi dhe nuk fitojnë dot asgjë. Harrohet me qëllim në këtë rast se kriza e vërtetë e Partisë Demokratike e ka pikën e gravitetit në grupin e saj parlamentar, jo në degën e Kolonjës apo të Kukësit. Si e tillë, fraktura mes palëve në Kuvend do të vazhdojë ta dëmtojë peshën politike të Sali Berishës dhe në javët e muajt në vijim. Pasi sic u pa edhe me ligjin e dosjeve, pesha e kartonave të kundërshtarëve të Berishës brenda partisë, ka një peshë jo të vogël politike.
Me vendimin e sotëm, Sali Berisha i dha formë një faze krejt të re të karrierës së tij politike, krejt të ndryshme e të pakrahasueshme me atë të vitit 2005, aq shumë të evokuar këto muaj. Berisha i atij momenti që mblodhi rreth vetes edhe ata që dikur i kishte rrahur shesheve, sot është një iluzion bosh. Ky i sotmi ka bashkuar armët me Metën, si për të bashkuar hallin e vet mee atë të ish-presidentit. Dy krerë politikë në të dalë të karrierave, secili me nga një hall mbi shpinë: njëri me dosjen amerikane, tjetri me dosjen e përfolur të komunizmit. Dhe në sfond, një listë e gjatë deputetësh e zyrtarësh demokratë që me prezencën dhe peshën e tyre politike e dëmtojnë që në nisje aleancën e re të Sali Gërdecit me Ilir Floririn, siç e quanin dikur njëri-tjetrin dy krerët e koalicionit që sapo hodhi firmat e themelimit.
Shumë saktë Minxhoz.
Po qe se e vutë re, kjo gjë, u pa edhe nga pjesëmarrësit në këtë konferencë shtypi, ku ishin vetëm kryesia dhe kater deputetet e PL dhe kater zogjt e kafazit të Saliut, me në krye Bylyk Bej Bashin….
Vetëm nga kjo, vihet re, katandisja e kokoshit në një glasë e jo në një thelë…