Anëtarët e një bande shqiptare e rrahën një të ri për vdekje për shkak se ky i fundit u përpoq që të vidhte “shtëpinë e tyre të barit”. Shqiptarët përdorën shkopinj bejsbolli dhe tulla për të goditur 23-vjeçarin Tomasz Waga. Ngjarja ndodhi në Janar të vitit të kaluar në Kardif.
Sipas asaj që shkruajnë mediat, viktima dhe tre persona të tjerë udhëtuan nga Londra për të vjedhur prodhimin e kanabisit. Por pasi ishin alarmuar, shqiptarët shkuan tek prona për të mbrojtur sasinë e tyre të vlefshme të kanabisit dhe për t’u dhënë hajdutëve një mësim.
Shqiptarët kanë ndërmarrë një sulm brutal ndaj 23-vjeçarit dhe të paktën një prej shokëve të tij. Më pas dyshohet se e kanë futur në një makinë tip Mercedes dhe e kanë marrë në pyetje për të zbuluar informacione. Pasi i kanë marrë celularin dhe paratë, shqiptarët e kanë nxjerrë nga makina dhe e kanë lënë të vdekur.
Deri më tani, policia nuk ka mundur që ta gjejë makinën që dyshohet se është përdorur në ngjarje. Në lidhje me rastin akuzohen Gledis Mëhalla, Mihal Dhana, Mario Qato, Josif Nushi dhe Hysland Aliaj, por mohojnë që të kenë kryer vrasjen. Ndërkohë prokuroria ka argumentuar se grupi i shqiptarëve ishte i fuqishëm. Ata kishin fitime të mëdha nga aktiviteti i jashtëligjshëm i prodhimit të kanabisit dhe për këtë arsye ishin të gatshëm që të bënin gjithçka për ta mbrojtur.
“Ishte një sipërmarrje e mirëorganizuar dhe shumë përfituese”, ka thënë prokurori Greg Bull.
Sipas hetimeve, droga që ruanin shqiptarët kishte një vlerë 120 mijë Paund. Autoritetet mendojnë se në shtëpinë e barit qëndronte Aliaj, i cili punonte si kopshtar. Ka qenë ai që ka lajmëruar anëtarët e tjerë të bandës për grabitjen që po i bëhej shtëpisë së tyre. Kur u shfaqën shqiptarët e tjerë, dy prej hajdutëve kishin ikur ndërsa mundën të kapnin vetëm Waga-n dhe një person tjetër të quajtur Carl Davies.
Ata e kanë goditur 23-vjeçarin Waga dhe i kanë shkaktuar 25 plagë të ndryshme në kokë, gojë, gjoks e madje duke i thyer disa brinjë. Sipas hetuesve, 23-vjeçari nuk ka vdekur si pasojë e dhunës në shtëpinë e barit, por pasi është futur në makinë.
“Nuk e dimë çfarë ndodhi aty. Dimë vetëm që pas kësaj ai vdiq”, tha Bull. Ai shtoi se të riut i erdha vdekja si pasojë e mbytjes, e cila u shkaktua nga gjakderdhja.
Një ditë pas ngjarjes Mëhalla, Aliaj, Artan Palluci, të tre 29 vjeç dhe Elidon Elezi, 22 vjeç, u arratisën nga vendi. Mëhalla u kap në Shqipëri dhe u ekstradua, ndërsa Aliaj u ekstradua nga Gjermania. Deri më sot Palluci dhe Elezi nuk gjenden.
/a.r