Duke nisur nga sot, fëmijët e Tiranës kanë një mundësi më shumë argëtimi. Cirku i mirënjohur italian “Bellucci” ka ngritur tendën në kryeqytet, duke ia kushtuar shfaqjen e parë fëmijëve të shtëpisë “Zyber Hallulli”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se bashkia ka në fokus fëmijët e kryeqytetit, ndaj edhe vëmendja më e madhe u kushtohet atyre, ashtu si në rastin e rikonstruksionit të çerdheve.
“Unë e di se Tirana nuk bëhet në një ditë, me gjasë nuk bëhet as në një vit, as në një mandat, por ka rëndësi që pas çdo mundësie t’u kushtojmë më shumë hapësira fëmijëve. Më vjen mirë që pas hapësirës pedonale që krijuam në sheshin “Nënë Tereza” dhe ditëve pa makina, cirku “Bellucci” pranoi ftesën tonë. Është një cirk i cili ka 100 vite eksperiencë, dhe i kemi kërkuar që të qëndrojnë në Tiranë për dy muaj, për t’i dhënë mundësi të gjithë fëmijëve të Tiranës, por edhe fëmijëve të qyteteve përreth, të shijojnë spektaklin e tyre”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.
Cirku “Bellucci” do të japë nga dy shfaqje çdo ditë, me kafshë ekzotike dhe numra të tjerë. “Fëmijët meritojnë të kenë gjithë të mirat e kësaj bote. Ndaj më vjen mirë për bashkëpunimin me cirkun “Bellucci”. Besoj se me investimet që po bëjmë në parqe, por edhe në aktivitetet e tjera, i shtojmë një dimension të ri jetës kulturore, por sidomos jetës argëtuese për fëmijët në qytetin tone”, tha Veliaj.
Ndërkaq, ai njoftoi se Bashkia e Tiranës do të nisë së shpejti investimin për “Parkun Ekskluziv për Fëmijët” në zonën e Liqenit. “Në qytet po krijohen disa ishuj, ku të parët që përfitojnë janë fëmijët e Tiranës”, shtoi ai. Kryebashkiaku Veliaj, e ndoqi shfaqjen e parë të cirkut italian me 45 fëmijët e shtëpisë së fëmijëve “Zyber Hallulli” në Tiranë.