Kjo është skena e rindërtuar nga Vizion Plus që tregon se si u realizua masakra e Elbasanit, në një interval fare të shkurtër kohor. Rindërtimi u ka dhënë mundësi hetuesve të mësojnë mbi dinamikën e ngjarjes, tipin e automjetit, por edhe këndin e te shtënave që i morën jetën tre personave dhe plagosën 8 të tjerë.
Pamjet e kamerave tregojnë se makina qe dyshohet se është një BMW me targa angleze ishte duke lëvizur nga Elbasani ne drejtim të Librazhdit. Pak para afrimit tek shënjestra, automjeti ka kaluar rrugën dhe ka ndaluar në sheshin para lokalit. Dy prej atentatorëve dalin jashtë dhe qëllojnë në drejtim të biznesit, ndërkohë që një i tretë nga brenda makinës, e cila dyshohet se është me timon në krahun e djathtë.
Agron Çapja, djali dhe nipi i tij si dhe gjithë të tjerët ndodheshin në katër tavolina të ndryshme, një jashtë e tre brenda. Breshëritë e plumbave u qëlluan nga tre personat, te cilët mbanin veshur pantallona te uniformes se kamuflazhit. Menjëherë pas krimit, kamerat e sigurisë tregojnë se automjeti është larguar bashkë me vrasësit me shpejtësi normale në drejtim të Librazhdit.
Sipas hetuesve, edhe pse janë gjetur tre kallashnikovë njëri prej të cilëve nuk ka shkrepje, pritet ekspertiza për të konfirmuar se të tre armët janë të atentatorëve. Nga ana tjetër, policia dhe Prokuroria nuk kanë ende një pistë zyrtare të shkaqeve që çuan në këtë krim të rëndë, e aq më pak të autorëve të dyshuar.
Edhe pse është bërë këqyrja e dhjeterave kamerave të sigurisë në aksin që të çon për në Librazhd, hetuesit s’kanë gjetur asnjë gjurmë të makinës. Këtu ekspertët kanë ngritur dyshime mbi itinerarin e ndjekur prej tyre dhe dyshojnë se vrasësit mund të jenë larguar edhe në drejtim të Parkut të Krastës, duke humbur përfundimisht gjurmët. Parku, i cili ndodhet shumë pranë vendngjarjes u inspektua një ditë pas krimit dhe nga nëndrejtori i policisë së shtetit Ardian Cipa.
Gjatë këtyre ditëve, policia ka shoqëruar mbi 47 persona, të cilët pas marrjes së dëshmive janë lënë të gjithë të lirë. Ne atentatin e te mërkurës mbeten te vrarë Agron Çapja, Ardit Sinakoli dhe Eno Bedalli. Vizion Plus