Një ditë përpara mbërritjes në Tiranë të eurodeputetëve Kukan dhe Fleckenstein, bashkëshortja e Aleks Nikës, njërit prej 4 të vrarëve më 21 Janar 2011, u kërkon të takohen.
Në një “e-mail” dërguar eurodeputetëve, siguruar nga Top Channel, Rajmonda Nika duket se i ka shuar shpresat për të gjetur drejtësi për bashkëshortin e vrarë, ndaj dhe i ka hedhur shpresat nga ndërkombëtarët.
“Me sinqeritet dëshiroj që Ju ta dini se, më shumë se kurrë, me shumë dhimbje, tashmë çështja jonë nuk është një prioritet”.
Rajmonda Nika u shkruan eurodeputetëve se, ajo e shikon ngjarjen jo thjesht si një çështje të familjes së saj.
“Këmbëngul gjithnjë t’ju takoj pasi, unë besoj se përveç atyre që më vranë bashkëshortin, jemi përballë një pikëpyetjeje të madhe për demokracinë e vërtetë. Çështjen tonë, unë e shikoj përtej interesave tona familjare dhe timen personale, por si një interes dhe të drejtë fundamentale të të gjithë njerëzve të vendit tim, të cilët duan të jetojnë në një shtet, ku njerëzit nuk vriten sikur të ishin kafshë. E më pas asgjë nuk ndodh. Mbi të gjitha nuk jepet drejtësi”.
Në fund të letrës, Rajmonda shpjegon se, në emër të kujt ajo do ta çojë përpara betejën, që mban emrin “Drejtësi për Aleksin”.
“Kanë kaluar 5 vite dhe kërkesa ime, tanimë nuk bëhet për Aleksin që e humba. Por e bëj këtë për vajzat e mia, për të ardhmen e tyre, sepse unë dua që ato të jetojnë në paqe dhe në një vend, ku ka drejtësi”.
Në përgjigjen e tij, eurodeputeti Eduard Kukan thotë:
“Siç edhe jeni në dijeni, unë kam bërë gjithnjë thirrje për një investigim të plotë të kësaj ngjarjeje tragjike. Unë, me të vërtetë besoj se drejtësia do të triumfojë në këtë çështje. Po ashtu, me sinqeritet besoj se vajzat tuaja do të ndihen se jetojnë në një vend demokratik dhe me liri, ku drejtësia është në shërbim të qyetetarëve”, shprehet Eduard Kukan.
Një javë më parë, nga Brukseli, në një intervistë për “Top Story”-n, Kukan do të jepte këtë koment, 5 vite më pas nga 21 Janari.
“Po, për ngjarjet e 21 Janarit kam qenë dhe ende jam i përfshirë, pasi besoj se ne duhet të jemi këmbëngulës dhe, nëse dikush gjendet fajtor apo përgjegjës, ai duhet të mbajë përgjegjësi për këtë. Ende marr ‘e-mail’-e nga familjarët e viktimave, por të jem i sinqertë, unë nuk e di për çfarë masash apo presioni të flas, pasi pati një presion të madh për qeverinë e mëparshme, përfshirë edhe nga opozita e atëhershme që është në qeveri tani, por asgjë nuk ka ndodhur e nuk ka ndryshuar praktikisht. Faleminderit që ma kujtoni publikisht këtë. Unë do të mbetem i angazhuar për këtë, derisa situata të zgjidhet, pasi është tepër e rëndësishme për popullin e atij vëndi, që të shohë se ata që bëjnë gjëra të këqija mbahen përgjegjës dhe kjo s’ka ndodhur ende”, është shprehur Kukan.