Një burim pranë Spitalit të Traumës i tha ekskluzivisht Gazetasi.al se Lear Kurti ndërroi jetë mbasi kishte gëlltitur dy qese me kokainë, që policia mos t’ia gjente në trup.
Gjatë ndjekjes policore, besohet se dozat e kokainës janë çarë, duke i sjellë shtangësinë e menjëhershme dhe për pasojë vdekjen.
Ky është versioni paraprak i burimeve.
Megjithatë priten dhe të dhëna të tjera, si këqyrja e dhjetëra kamerave të sigurisë dhe marrja ne pyetje e disa të rinjve që gjendeshin në rrugën “Don Bosko”, kur policia u afrua dhe i hodhi prangat 32-vjecarit.
I riu identifikuar si Lear Kurti ndërroi jetë mbrëmjen e kaluar gjatë ndjekjes policore, e cila për gati 4 minuta u vu në ndjekje të tij, pasi ai nuk iu bind patrullës.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, njoftoi se i riu u pa duke ecur në këmbë pa shoqërinë e dikujt tjetër në rrugën “Riza Cuka”.
Njëri nga oficerët e komisariatit numër tre, qe njihet si efektiv që sapo ka nisur detyrën në polici, i kërkoi të paraqesë dokumentet.
I riu fillimisht ka ndaluar, por më pas ka vrapuar nga rruga “Riza Cuka” deri në “Don Bosko”.
Pranë një marketi, policia deklaron se ai u ul në një stol dhe disa të rinj panë se si policia i hodhi prangat.
Viktima njihet si përdorues droge dhe është shoqëruar disa herë nga policia. Përpos njoftimit të AMP-së, ende nuk ka një version zyrtar për shkaqet e vdekjes së tij.
/a.r