Fatmir Mediu shprehet se është i pakënaqur me mënyrën se si po menaxhohet opozita, pasi sipas tij ata nuk po reflektojnë për gabimet e së shkuarës, por po ia adresojnë ato një njeriu të vetëm.
I “ngacmuar” nga Mirela Milori për qëndrimin e tij të gjatë si kryetar i Partisë Republikane, apo edhe në poste të tjera të politikës shqiptare, ai ka thënë se për të është e domosdoshme të zhvillohen gara dhe nëse është e thënë dikush tjetër ta drejtojë partinë.
Mirela Milori: Duket sikur keni një pakënaqësi me mënyrën se si po menaxhohet opozita.
Fatmir Mediu: Nuk kam se si të jem i kënaqur. Me veten time në radhë të parë.
Mirela Milori: E keni në raport se PR nuk është në pozicionin e duhur në këtë koalicion? Çfarë nuk shkon?
Fatmir Mediu: Nuk është çështje koalicioni. Unë mendoj se për 9 vite ne nuk ditëm të menaxhojmë marrëdhëniet me njerëzit tanë. Kam qenë një nga njerëzit që ka bërë shumë debate me zotin Basha, në djegien e mandateve, në çështje vetingu, në çështjen e braktisjes. Ndërkohë që pjesa tjetër thoshte se “vetëm Basha dinte”, por ne nuk po reflektojmë, se themi që për çdo gjë të keqe e kishte fajin zoti Basha. Unë kam përgjegjësinë time. Nëse kam bërë debat me zotin Basha do të thotë se nuk kam qenë aq racional sa për të bërë diçka. Ajo që më shqetëson më shumë është fakti se ne mendojmë se jemi të pazëvendësueshëm, se Shqipëria lind dhe vdes me ne. Unë nuk jam i tillë. Unë kam 32 vite në krahun e djathtë, por mua nuk më bën opozitar të shaj kundërshtarin tim, por të mbaj qëndrim karshi kundërshtarit dhe të ndërtoj alternativa për sa i përket të ardhmes së vendit tim. Këtë e kemi bërë shumë mirë kur kemi qenë në qeveri dhe në opozitë.
Mirela Milori: Po mirë, dikush përball, kundërshtari juaj, mund të thotë, “Po boll ndejtët, u futët në lista, morët poste deputetësh, keni qenë ministër. Boll! Mbase iku cikli juaj, le të vijnë këta të rinjtë”.
Fatmir Mediu: Po dhe të drejtë ka që ta thotë. E para nuk na ka futur njeri në lista, por fatkeqësisht kuptimi i Partisë Demokratike për çështjet zgjedhore ka qenë krejtësisht absurd dhe idiot. Po e them fare troç idiot. Futja në një listë, mosekzistenca e partive demokratike, mosgjetja e një sistemi funksional, heqja e mundësisë së garës është problem i madh dhe unë jam padyshim i prirur që gara le të zhvillohet, le të humbasë Fatmir Mediu. Kjo është e domosdoshme, brenda Partisë Republikane të dalë dikush tjetër. Mund të jenë edhe fëmijët e mi që thonë, “boll se ke 32 vjet”, prandaj ndoshta ka nevojë për një lëvizje tjetër. Përveçse të themi le ta tregojë gara, le të themi edhe një gjë tjetër, ne na u dha një mundësi në vitin 1990 nga studentët për të ofruar mundësi politike. A ka mundësi t’ja rikthejmë kësaj rinie këtë marrëdhënie?
/a.r