Në një interpelancë në Parlament për sezonin turistik, deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa është shprehur se ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro duhet të kishte dhënë dorëheqjen pas tragjedisë që ndodhi në Himarë, ku një vajzë e vogël u godit për vdekje nga skafi që drejtohej nga një punonjës policie jashtë detyrës.
Deputetja Zhupa bëri kritika për punën e ministres Kumbaro sa i përket turizmit në vendin tonë dhe sigurisë në këto zona, duke thënë se Shqipëria nuk ka të certifikuar asnjë plazh të sigurtë.
“Mirela Kumbaro duhet të kishte dhënë dorëheqjen nga ngjarja në Himarë. Shqipëria nuk ka asnjë plazh të certifikuar ‘blue flag’, nuk ka asnjë plazh të sigurt dhe asnjë plazh që plotëson kriteret dhe përgjegjësi direkte për këtë ka Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Kroacia ka 93 plazhe, 23 marina, mos vazhdoj me Spanjën 590 plazhe të certifikuara. Kriteret janë kritere që lidhen me punën e Ministrisë së Turizmit. Është certifikatë që jepet nga Fondacioni për Edukim Mjedisor”.
Ndërsa ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro u kundërpërgjigj duke thënë se foltorja e Kuvendit nuk duhet të përdoret “si shtëpi njoftimesh funerale”.
Për të folur për turizmin e këtij viti, ministrja solli në Parlament shembullin e Sarandës, duke theksuar se ndryshe nga sezonet e kaluara, vazhdojnë ende prenotimet.
“Në fakt kjo foltore nuk është dhe nuk duhet të jetë as shtëpi njoftimesh funerale, e aq më pak mikrofon mallkimesh të të gjitha llojeve. Saranda është rasti tipik por i jo vetmi në këtë vjeshtë kur sezonit turistik nuk mbyllet në Gusht. Origjina e turistëve për muajin Shtator është e larmishme. Operatorët turistikë vendorë e cilësojnë se është më i miri përsa i takon numrit të turistëve. Edhe muaji Tetor konfirmohet më i mirë se sa Tetori i një viti më parë. Vetëm në këtë muaj kanë hyrë në Portin e Sarandës, vetëm në Shtator, 32.136 vizitorë. Prenotimet në hotelet e Sarandës dhe të Ksamilit janë shumë domethënëse”, deklaroi ministrja Kumbaro.
/a.r