Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së enjtes një tjetër skandal me vjedhjen e pensioneve, kësaj herë në Dishnicë të Korçës.
Gazetarët biseduan me dhjetëra pensionistë, të cilët treguan problemet me pensionet. Sipas tyre, postieri i quajtur Egli Shkëmbi është larguar për në Itali dhe u ka marrë lekët e pensioneve dhe ndihmës ekonomike. Punonjësi është i afërmi i një punonjësi të Njësisë Administrative. Banorët thonë se janë me dhjetëra raste në Dishnicë dhe në fshatra të tjerë. Madje, një pensionist, që ka qenë në emigrim, ka pa marrë 1 vit. Të tjera nga 1, 2, apo 3 muaj.
Ndërkohë, gazetarët e Fiksit bisedojnë me një punonjëse, e cila u tregon se kanë marrë direktiva nga eprorët të mos e denoncojnë rastin në policia, pasi do e zgjidhin brenda për brenda. Pensionisti shkon dhe takon përgjegjësen, e cila i thotë se “të bëjë ankesë me shkrim, pasi prindërit e Eglit kanë hequr dorë “.
Ndërkohë, krahas pensionistit, gazetarët pyesin përgjegjësen, e cila u thotë se Posta e Korçës është në dijeni të problemit. “Është ngritur një grup pune dhe ka filluar verifikimi i rasteve” thotë ajo. Por, deri më tani nuk është bërë ndonjë kallëzim penal, pavarësisht se shumë pensionistë kanë treguar se s’kanë marrë lekët. Përgjegjësja i thotë gazetarëve të Fiks Fare se disa raste po i zgjidh babai i postierit të larguar, por tani ka hequr dorë se janë shumë. Sipas tij, të gjithë duhet të bëjnë ankesë dhe më pas rastet do verifikohen.
Pas ankesave të pensionistëve, por edhe pretendimeve të personelit, Fiksi pyeti në Drejtorinë e Filialit të Postës në Korçë. Asnjë prej punonjësve nuk pranoi të japë intervistë, ndërsa deklaruan se duhet t’u bënim një kërkesë për informacion.
Në pamundësi për t’u takuar me drejtorin e Filialit të Postës Korçë, Hani Kodra, Fiks Fare i dërgoi një kërkesë për informacion. Kjo drejtori na ktheu përgjigje se “punonjësi Egli Shkëmbi ka qënë punonjës, me detyrë Kryetar i Zyrës Postare Dishnicë nga data 15 janar 2021 deri në datë 21 shtator 2022. Sipas Postë së Korçës, në datën 16 shtator 2022 janë paraqitur 2 persona, z. Pëllumb Bame, i cili ka pretenduar se nuk ka tërhequr pensionin për periudhën Korrik 2021 -Gusht 2022 dhe Z. Ramadan Bregu pagesën e invaliditetit për muajin gusht 2022. Më pas, është ngritur grupi i punës dhe po në datën 16 shtator është bërë lirimi nga detyra i z.Egli Shkëmbi, detyrë e cila duhet të dorëzohej deri në datë 21 shtator 2022.
“Nga ana e ish-punonjësit nuk është bërë dorëzimi i dokumentacionit dhe për këtë arsye është kërkuar vënia në dispozicion e gjithë dokumentacionit (listë pagesa pensionesh, libër arke, mandat pagesa, mandat arkëtimi, dokumentat e shërbimit postar etj) të Zyrës Postare Dishnicë për periudhën 15 janar 2021 deri në datën 21 shtator 2022, brenda datës 27 shtator 2022. Në kushtet kur ky dokumentacion nuk është vënë në dispozicion të Posta Shqiptare Filiali Korçë, ka kërkuar nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Korçë, vënin në dispozicion të mandat pagesave të pensionistit Pëllumb Bame, për periudhën janar 2021-Gusht 2022, në mënyrë që të bëhët i mundur verifikimi i nënshkrimeve,dokumentacion, i cili na u vendos në dispozicion me në datën 05 tetor 2022. Nga verifikimi i mandat pagesave te pensioneve rezultoi se nënshkrimi i pensionistit z. Pellumb Bame ishte i ndryshëm nga muaji në muaj” thuhet në përgjigjen e Postës së Korçës.
Pra, verifikimi për pensionistin është bërë në datën 5 tetor, 1 ditë pas interesimit të Fiks Fare në Filialin e Postës në Korçë. Në të njëjtën përgjigje, kjo drejtori thotë se është ngritur një tjetër komision për verifikimin e çdo ankese për Postën e Dishnicës.
“Pas verifikimeve në terren nga ana e Filialit të Posta sh.a. Korçë do të shqyrtohen rastet e ankesave dhe problematikat e konstatuara do të referohen përpara organeve kompetente” vijon përgjigjja. Ndërkohë, Fiksi e pyeti këtë drejtori nëse ka bërë kallëzim në polici dhe prokurori për këto raste.
“Pas verifikimit të kryer brenda dites në të cilën na u vendos në dispozicion dokumentacioni nga ana e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, Filiali i Posta sh.a. Korçë ka paraqitur në Prokurorinë e Korçës kallëzimin penal për ish-punonjësin Egli Shkëmbi, me shkresën nr. 540, datë 05 tetor 2022, pasi ekziston dyshimi se ky person ka konsumuar veprën penale ‘vjedhja duke shpërdoruar detyrën” dhe “falsifikimi i dokumenteve” thotë Posta e Korçës. Sërish, kallëzimi është bërë 1 ditë pas interesimit të Fiks Fare. Pra, u desh investigimi i Fiksit që Posta Korçë të vihej në lëvizje dhe t’i kërkonte Sigurimeve verifikimin e mandat pagesave. Madje, të bënte edhe kallëzimin penal në prokurori, kallëzim të cilin e vonoi disa javë, duke i dhënë mundësi ish-punonjësit të largohej nga Shqipëria.
***
Bisedë me pensionistë në Dishnicë të Korçës
Fiksi – Është e mbyllur posta?
Pensionisti 1 – Mbyllur është.
Fiksi – Pse?
Pensionisti 1 – Ai që i shpërndante iku, iku në Itali. tani ia kanë dorëzuar një tjetri nga Bulgareci ai shoku.
Fiksi – Igli?
Pensionisti 1 – Igli iku, iku në Itali ai.
Fiksi – Po kur iku ai?
Pensionisti 1 – Po ja ka nja 10 ditë. Ja po presin, janë shumë.
Fiksi – Po presin për pensionet ata?
Pensionisti 1 – për pensionet. Edhe s’vjen hiç, këtu ka mbaruar çdo gjë.
Fiksi – Kujt i mungon pensioni?
Pensionisti 1 – Janë ca (këtu që presin) janë edhe ca të tjerë (në shtëpi), i mungonte edhe atyre. Hajde njëri, merr tjetri. Igli i dorëzoi, ka procesverbale, a s’ka si i mbajnë këto të postës.
Fiksi –
Pensionisti 2 – Ja edhe ne na lënë, ja janë tërë ata burra po rrinë. Hajde atje, hajde.
Fiksi – Ata po presin për të marrë pensionet?
Pensionisti 2 – Eee. Për pensionet.
Fiksi – Sa kohë keni që prisni?
Pensionisti 3 – 1 javë, ëë Bardhi?
Pensionisti 2 – 1 javë, posi moj.
Fiksi – Po s’vjen fare ai apo vjen vetëm mbasdite?
Pensionisti 2 – Ai ka edhe Bulgarecin dhe vjen mbas.
Fiksi – Po ai Igli që ishte këtu ka ikur?
Pensionisti 2 – Iku ai.
Fiksi – Sa vetave i mungonte pensioni këtu?
Pensionisti 4 – Kush e di sa vetave u mungon!
Pensionisti 5 – Neve ç’kusur, invalid të vijmë. Më mirë të na i hedhin në postë dhe e dimë që … S’ka kuptim. Ça di ai (punonjësi), unë i thashë invalid. Nuk e ke merin invalid më tha. Shko ankohu atje.
Vajza e pensionistes – Do vijnë?
Pensionisti 5 – Cilat?
Pensionisti 4 – Ja kjo zonja dje erdhi, ja.
Vajza e pensionistes – Mamaja sot 3 muaj (që s’ka marrë) pensionin.
Pensionisti 5 – Po s’ka gjë se i shtohet mamasë!
Vajza e pensionistes – U bënë 3 muaj ky, mamanë e kam nga Kuçi po s’është edhe e aftë.
Fiksi – Invalide.
Vajza e pensionistes – Po. U lidha me një të sigurimeve, problemin e ka më tha personi që nuk i shpërndan. Po vijmë vërdallë, punën time po e lë. Ja s’jam unë, kush do ta marrë? Plasmë se është gjynah tani.
Fiksi – Problemi këtu qendron që s’vjen ai që i shpërndan apo ku qendron problemi?
Vajza e pensionistes – Mamasë time dhe disa të tjerëve mund të ketë mbi 3-4 muaj që s’e kanë. Sot një pjesë u nis në Korçë. Azizi dhe Myzaferi ka 4 muaj.
Fiksi – Sa kohë ka që të mungon ty?
Vajza e pensionistes – Ky ka 1 vit.
Pensionisti 6 (Pëllumbi) – Unë kam 1 vit e 2 muaj.
Fiksi – Që nuk e merr.
Pensionisti 6 (Pëllumbi) – Kam qenë jashtë shtetit.
Fiksi – Është firmosur në emrin tënd?
Pensionisti 6 (Pëllumbi) – Detyrimisht, kishte firmosur ai në emrin tim. Kam dokumentin, ikjen jashtë shtetit. Daljen nga ai shtet.
Fiksi – Kur je kthyer ti?
Pensionisti 6 (Pëllumbi) – Unë para 20 ditëve.
Fiksi – Kur vajte dhe u interesove?
Pensionisti 6 (Pëllumbi) – Kur e pashë.
Fiksi – Te Posta Qendrore (Korçë)?
Pensionisti 6 (Pëllumbi) – Po.
Fiksi – Edhe çfarë të thanë?
Pensionisti 6 (Pëllumbi) – Çfarë më thanë, ta verifikojmë. Më mori dhe më sqaroji i thashë edhe drejtorit që i ka marrë lekët i ka firmosur ai? Ja ma thanë ta shikojmë, ta verifikojmë. Ti e ke në sistem – i thashë – e ka firmosur.
Fiksi – Totali në muaj sa merrje ti?
Pensionisti 6 (Pëllumbi) – Totali në muaj, aq merrja unë, 274 mijë lekë të vjetra.
Fiksi – 274 për 12 muaj që s’i ke marrë?
Pensionisti 6 (Pëllumbi) – Për 14 muaj.
Fiksi – Për 14 muaj që s’i ke marrë.
Pensionisti 6 (Pëllumbi) – E kam të deklaruar.
Fiksi – Ke bërë ndonjë denoncim?
Pensionisti 6 (Pëllumbi) – Ku të bëj denoncim?
Fiksi – Në polici.
Pensionisti 6 (Pëllumbi) – Ç’punë kam unë të bëj denoncim. Në postë.
Fiksi – Është falsifikuar firma jote, lekët e tua janë tërhequr.
Pensionisti 6 (Pëllumbi) – Përgjegjësi mban Posta, drejtori këtu, me radhë, shefe a ça ka.
Vajza e pensionistes – Po ça denoncimi, ja siç jemi këtu, mbledh edhe nja 20 veta nga Kuçi dhe nja 30 sa është.
Fiksi – Kush ka qenë jashtë (shtetit) i ka marrë ai dhe e lanë të iki jashtë.
Pensionisti 6 (Pëllumbi) – Po.
Vajza e pensionistes – Shteti do ta gjejë se s’bën atë.
Fiksi – Ku do ta gjejë, te kush?
Pensionisti 4 – Po mirë ata si e lanë të iki?
Vajza e pensionistes – Ai ka ikur në gusht.
Pensionisti 6 (Pëllumbi) – Edhe të mos bësh dorëzim dhe e mban çelësin babai (i Iglit, është punonjës në Njësinë Administrative Bulgarec) i këtij personi.
Fiksi – Po i ati ku është?
Pensionisti 6 (Pëllumbi) – I ati në shtëpi.
Vajza e pensionistes – E mban bashkia.
(Telefonon punonjësin e Postës në Bulgarec)
Vajza e pensionistes – Arti, janë tërë këta njerëz po presin.
Punonjësi i postës – Unë jam në punën time.
Vajza e pensionistes – Nuk do vish fare ti?
Punonjësi i postës – Jo, jo unë jam në punën time.
Vajza e pensionistes – Po ja sot po t’u them që ka ardhur një punonjës nga Tirana të mbledh unë për gjysëm ore gjysmën e fshatit këtu.
Fiksi – Që nuk i kanë marrë lekët.
Vajza e pensionistes – Po që si kanë marrë.
Pensionisti 4 – Neve ilaçe i marrim ato të shkreta të kempit.
Pensionisti 6 (Pëllumbi) – I kam dhënë unë emrin, kartën e identitetit të tëra.
Fiksi – Në postë?
Pensionisti 1 – Po në postë.
Fiksi – Si e ke emrin?
Pensionisti 6 (Pëllumbi) – Pëllumb Bane. 14 muaj pa marrë pensionin
***
Shkojmë në Bulgarec, takojmë postierin që shpërndan aktualisht pensionet
Fiksi – Për punën e atyre pensioneve që nuk janë shpërndarë.
Punonjësi i postës – E kam bërë më shumë për ndihmë të atyre.
Fiksi – Ishte Pëllumbi, Pëllumbi 14 muaj.
Punonjësi i postës – Ku e kam, që e kam dorëzuar.
Fiksi – Vetëm për këtë muaj?
Punonjësi i postës – Këtë ka ky, të tjerat i ka drejtoria.
Fiksi – Po ai tha që ia ka marrë ai, Igli, që ka ikur.
Punonjësi i postës – Për këtë pjesë nuk di gjë.
Filiali i Postës Shqiptare, Dega Korçë
Punonjësja e postës – Për shtatorin s’do keni problem.
Pensionistja – Unë i kam marrë, vetëm shtatorin kam. Do vijmë ti marrim këtu apo do vijë njeri atje që ta dimë.
Punonjësja e postës – Te ai që ndan pensionet.
Fiksi – Te ila postë jeni ju?
Qytetari – Në Dishnicë.
Fiksi – Ça thonë këta?
Qytetari – Ça do thonë këta!
Fiksi – Sa muaj ke ti?
Qytetari – Unë kam që në gusht pa i marrë.
Punonjësja e postës – Për shtatorin do vijë ti ndajë, për gushtin do t’ju marr në telefon.
Fiksi – Për këto pensionet aty te Posta e Dishnicës, si i bëhet?
Punonjësja e postës – Do presësh shefen se ka një problem. Për shtatorin janë ndarë do ndahen dhe kempet, kurse për korrik-gusht do bisedosh.
Fiksi – Për atë djalin çfarë është bërë, kanë bërë denoncim apo do të mblidhemi ne si fshat që ta bëjmë denoncimin?
Punonjësja e postës – E mirë është që të mos bëhet.
Fiksi – E mirë që të mos bëhet si denoncim për atë që ka marrë lekët?
Punonjësja e postës – Nuk e di, po do gjejmë një zgjidhje që ta zgjidhim!
Fiksi – Po aty në fshat është edhe njëri që s’e ka marrë 14 muaj që s’ka qenë fare këtu.
Punonjësja e postës – Atë e dimë ne, po e morëm atë.
Punonjësja e postës – Si e ke emrin?
Pensionisti – Nikolla Zyberi, erdha këtu…
Punonjësja e postës – Sa muaj ke?
Pensionisti – 1 muaj.
Punonjësja e postës – Kë?
Pensionisti – Të gushtit. Punonjësja e postës –
Pensionin e gushtit?
Pensionisti – Po, edhe unë dhe zonja.
Punonjësja e postës – Pensionin apo këtë 3 mijë lekshin?
Pensionisti – pensionin, pensionin se 3 mijë lekshi s’na doli ne.
Punonjësja e postës – Po erdhe këtu e kishe takuar atë … (babain e postierit).
Pensionisti – Erdha këtu unë dhe më thanë shko bisedo njëherë me të atin dhe të ëmën pastaj hajde. Unë vajta 3 herë po s’më dilnin ata.
Fiksi – Ku ka vajtur ai?
Punonjësja e postës – Në Itali.
Fiksi – E keni gjetur ju sa ka marrë në total ai?
Punonjësja e postës – Po jo pra se do të bëjmë verifikimet tona. Të shkojmë të pyesim, të bëjmë verifikime në sistem se ai ndante në disa fshatra.
Fiksi – Shumë, janë tërë ata njerëz.
Punonjësja e postës – Dhe hajde të gjenden. Të bëjmë këto, të bëjmë verifikimet nëpër fshatra, çfarë të bëjmë ne?!
Fiksi – Po si do t’i gjendet halli?
Punonjësja e postës – Di unë si do ti gjendet halli! Ja kjo është shefja!
Pensionisti – E mbaj mend unë. Erdha njëherë këtu dhe ti më the shko të bisedosh me të atin dhe të ëmën (e postierit). Po. Vajta atje, po lërë se shkova dy ditë me radhë se s’më dilnin. Doli e ëma i thashë unë këtu-këtu-këtu puna. Oo më tha… Nuk e përballojmë më tha. Po ashtu më tha lekat i ka të dorëzuara atje. Kaq më tha, siç më the ti hajde prapë, erdha unë.
Përgjegjësja e postës – Vajtëm shtëpi më shtëpi, s’është se s’erdhëm te ty. Vajtëm shtëpi më shtëpi dhe po i pyesim të gjithë. Çka pensionistë, çka që marrin ndihmë ekonomike. Tani bëj një deklaratë, emër – mbiemër, unë filani. Çfarë s’ke marrë, pensionin 1 muaj.
Pensionisti – 1 muaj. Po ku ta bëj, namë një kartë.
Përgjegjësja e postës – Të jap unë një kartë dhe shkruaje. Ose bëje njëherë në shtëpi të dy me gruan dhe hajde silli të dyja.
Përgjegjësja e postës – Për korrikun dhe gushtin?
Fiksi – Çfarë do bëhet?
Përgjegjësja e postës – Ne vajtëm atje, do bësh një deklaratë unë e nënshkruara filan e filan…
Fiksi – Tani me këtë djalin (postierin) çfarë do të bëhet? Ti bëjmë ne ndojë denoncim i gjithë fshati të mblidhemi apo e keni bërë ju denoncimin?
Përgjegjësja e postës – Ne po e verifikojmë, jemi akoma në proces verifikimi. Se janë gjithë ato fshatra dhe nuk është 1 person, janë disa persona që po ankohen. Domethënë dëmin ai na e bëri të gjithëve. S’është se ua bëri 1 personi apo 1 pensionisti. Mua më vjen shumë keq, sepse këtë zotërinë e dërgova te i ati (postierit) se të atin e kemi thirrur këtu në punë dhe na doli për Zot që mbase nëpërmjet të tjerëve do i gjejë që ti mbulojë. Ai tani ka bërë dalje fare.
Fiksi – Çfarë do të mbulosh se ato janë tërë ato lekë.
Përgjegjësja e postës – Tërë ato lekë, vetë i kanë marrë! Mirë nuk të vjen, mbetësh ndonjëherë në ndonjë pozitë që s’ke nga t’ia mbash dhe…
Fiksi – Ai i ati i atij punonte në bashki më duket, ku punonte?
Përgjegjësja e postës – Po, po aty është.
Fiksi – Atje është?
Përgjegjësja e postës – Po, te Njësia Administrative (Bulgarec)./m.j