14 maji duket se do të jetë dita e përplasjes së radhës elekorale në Shqipëri, zgjedhjet vendore në të gjitha bashkitë e vendit. Ka një dakordësi të plotë mes palëve edhe pse Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ende nuk ka një datë të përcaktuar zyrtarisht dhe vijon takimet me përfaqësues të forcave politike. Sot Begaj ka pritur në takim kreun e grupit parlamentar demokrat, Enekelejd Alibeaj dhe ditën e nesërmë i përmbyll konsultimet me kreun e grupit më të madh në Kuvend, atë të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Ditën e djeshme presidenti nisi konsultimet me krerët e grupeve parlamentare si dhe drejtues të partive politike parlamentare. I pari, herët në mëngjes, në zyrën e kreut të shtetit, mbërriti Oerd Bylykbashi në emër të grupimit të Rithemelimit në Partinë Demokratike. Pas tij, në presidencë shkeli ish-kreu i shtetit Ilir Meta, kreu i partisë së Lirisë, që duhet theksuar se nuk ka grup parlamentar, me vetëm 4 deputetë në Kuvend.
Ish-Presidenti Meta foli për mediat pas bisedës me pasardhësin e tij në krye të shtetit dhe tha se data bëhet e parëndësishme kur në thelb fakti që do të ketë zgjedhje ëhstë një lajm shumë i mirë pasi pas bojkotit të opozitës po kthehet pluralizimi në pushtetin vendor.
Pas Metës të gjithë së bashku u futën në takim me Bajram Begajn drejtues të partive politike të vogla të djathta, Fatmir Mediu, Dashamir Shehi, Vangjel Dule e Agron Duka. Në emër të tyre foli Mediu dhe u shpreh se 14 maji i jep kohë të marrin formë dhe 2 reformave të rëndësishme që pritet të kenë ndikim që në këto zgjedhje. Report Tv mësoi se të njëjtin qëndrim e kanë edhe forca të tjera të opozitës, ndërkohë që edhe mazhoranca ka shprehur dakordësinë.
Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet në Shqipëri zhvillohen në periudhat 15 prill deri në 15 maj, ose nga 15 tetori deri në 15 nëntor, por që në këtë rast zgjedhjet me shumë mundësi do të jenë në periudhën e pranverës.