Nga Artur Ajazi
Elbasani, qyteti me një histori mbi 3 mijë vjeçare, meriton respekt dhe mirënjohje. Meriton, sepse në Elbasan ruhet e gjallë e vetmja festë pagane Dita e Verës, e cila është plot me mite e legjenda të bukura. Meriton respekt dhe vëmëndje, sepse në Elbasan gjenden dy bazilika të periudhës paleokristiane (në Bezistan dhe në Tepe), në Elbasan, në periudhën e Mesjetës hasen për herë të parë organizimet esnafore, të cilat normonin punën e zejtarëve, format dhe mënyrat e prodhimit e të shitjes.
Në qytetin e luleve dhe arsimit, nisën përpjekjet për studimin dhe njësimin e gjuhës shqipe, duke nisur nga Jorgji Theohari, Todri, Kristoforidhi, Xhuvani, Cipo, Domi e dhjetra qytetarë të tjerë më pak të përmendur. Eshtë qyteti ku ishte krijuar një prej alfabeteve shqip, shumë kohë më parë se alfabeti i Manastirit, dhe u mbajt Kongresi i Gjuhës Shqipe në 9 shtator 1909. Në Elbasan filloi të zhvillohet arti i fotografisë i mjeshtrit Fot Papajanin, nxënës i Marubit, u çel e para shkollë e mesme, e cila do të përgatiste mësuesit e parë shqiptarë, Normalja (dhjetor 1909), do të ngrihet për herë të parë flamuri i Pavarësisë në 25 Nëntor 1912, nga Aqif Pasha, Vërlaci, Peni, Pasmaqi, Dhimitruka etj.
Nga ky qytet, do të niseshin dhjetra studentë në universitetet më të mira europiane , si Austri, Gjermani, Francë, Itali, Turqi etj. Këta do të ishin guri themelit për zhvillimet arsimore, gjuhësore, kulturore, shkencore të një Shqipërie tjetër. Sot Elbasani, mban flamurin e “qytetit të Festivaleve”. Në Elbasan, ka zhvillim të pandarë muzika popullore, e lehtë, ka 2-3 herë në vit festivale, ka ansamble dhe orkestra harqesh, falë investimeve nga pushteti lokal. Nën kujdesin e kryetarit të bashkisë Gledian llatja, sot ka një frymë të re dhe bashkohore zhvillimi harmonik i zhanreve të artit dhe kulturës, ka një gërshetim mes tradicionales dhe moderrnes.
“Qyteti i Festivale”- do ta quanin disa muzikologë të huaj Elbasanin, kurse Kalanë dhe monumentet e trashëgimisë kulturore, do ti quanin “thesare të cilat tregojnë qytetërimin e hershëm në këtë kasaba”. Elbasani sot, është qytet i pastër, i jetueshëm, nga ku emigrantët kthehen, hapin bizneset, nisin dhe zhvillojnë jetën e tyre familjare. Në Elbasan, në Qendrën e Artit dhe Teatrin “Skampa”, nuk rreshtin aktivitetet artistike, kulturore, qytetare, fëminore. Jeta artistike është gjallëruar, ashtu siç janë rritur interesimet e grupimeve , kompanive dhe institucioneve të huaja të fushës, për të mbajtur në Elbasan eventet e tyre.
Drejtori i sapo emëruar i Teatrit dhe Qendrës së Artit në Elbasan, ardhur nga fusha e artit Klinsi Lala thotë se “kemi angazhime maksimale për të rritur efiçencën dhe bashkëpunimin mes grupeve artistike, teatrore, për të gjallëruar dhe zhvilluar jetën e përditshme të qytetarëve. Ansamblet, orkestrat dhe grupet tona teatrore, kanë profesionistë të shquar, dhe janë pjesëmarrës në takime kombëtare dhe ndërkombëtare”.
Qendra e Artit dhe Teatri “Skampa”, kanë një axhendë të ngjeshur deri në mbyllje të vitit 2002, por dhe për të ardhmen. Takime të përvitshme mes grupeve muzikore, festivale teatrore kombëtare dhe ndërkombëtare, ditët e Poezisë, apo “Dita e Verës” e vetmja festë që mbahet në Elbasan me prurje të jashtëzakonshme njerëzore nga vendi dhe mbarë bota, apo dhe kremtime të tjera me bazë historinë e qytetit, përbëjnë kurreshtje të madhe për cilindo që kalon, ndalon dhe jeton atje.