Zgjedhjet lokale të vitit kanë nisur të dominojnë debatin politik. Në funksion të llogarive elektorale, Partia Demokratike me në krye Sali Berishën kërkon 95 bashki nga 61 që janë aktualisht. Ndërsa PD-ja me në krye Enkelejd Alibeajn kërkon 94 bashki. Partia Demokratike synon të ndajë dhe kthejë në bashki disa bastione të saj, me qëllim për të rritur numrin e bashkive që mund të fitojnë në zgjedhjet e ardhshme lokale, gjithnjë nëse dy gjysmat e PD-sa do ta gjejnë dakordësinë për vulën e partisë dhe drejtimin.
Këto zgjedhje do të jenë edhe një test për Sali Berishën, i shpallur dy herë non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe. Gjatë luftës për rrëzimin e Lulzim Bashës, Sali Berisha, në Kuvendin e tij Kombëtar paralel të PD-së, mbajtur në 11 dhjetor 2021, miratoi disa ndryshime në statutin e partisë, ndryshime të cilat janë regjistruar nga Gjykata e Tiranës. Në funksion të goditjes së Bashës si një humbës serial 8-vjeçar, Berisha miratoi disa rregulla të prera, duke parashikuar largimin e kryetarit dhe heqjen e të drejtës për të kandiduar në rast humbje të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin.
Por, ky parashikim i prerë që nuk lë vend për asnjë alibi, nuk është i vlefshëm për zgjedhjet lokale. Nëse Partia Demokratike do të humbasë zgjedhjet lokale, siç edhe ka gjasa të ndodhë, Sali Berisha nuk do të largohet nga drejtimi i partisë. Statuti i ‘Foltores’ parashikon që në rast humbje të zgjedhjeve lokale, kryetari i partisë nuk largohet, por duhet të vetëbesohet në Kuvendin Kombëtar të PD-së. Që kryetari i partisë të rikonfirmohet duhet të marrë më shumë se sa 70 % të votave të anëtarëve që kanë marrë pjesë në votim.
Në kampin e Partisë së Lirisë nuk parashikohet asgjë në rast të humbjes së zgjedhjeve, edhe për faktin se kjo parti nuk ka pretenduar asnjëherë se mund të fitojë zgjedhjet, pasi objektivat e saj elektorale është që të marrë sa më shumë bashki, këshilltarë dhe deputetë, për të rritur kërkesat ndaj PD-së apo PS-së për ndarjen e pushtetit./shqiptarja.com